Për herën e 16 brenda 1 muaji deputetët e Kuvendit të Kosovës, ia mësynë seancës plenare për qëllimin e njëjtë.
Këtë herë secili nga ta kishte para vetës, një shkresë të Gjykatës Kushtetuese, me të cilën janë njoftuar se mund t’i dërgojnë komentet e tyre lidhur me kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit për mosvotimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të dërguar nga AAK-ja.
Pavarësisht kësaj komisioni për votim të fshehtë me vetëm dy emra të propozuar, u hodh sërish në votim, por nuk kaloi.
“55 deputetë kanë votuar për, një ka qenë kundër, abstenime nuk ka. Shihemi me datën 17, në orën 10:30”, ka thënë kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Për dështimin e seancës së sotme, deputet i Listës Guxo, Faton Peci përsëriti sërish qëndrimin se emri i Albulena Haxhiut nuk është shkaktar i bllokadës institucionale.
“Ne si Grup Parlamentar, koalicion Vetëvendosje-Guxo dhe Alternativa në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje për zhbllokimin e kësaj gjendje ose kësaj situate dhe rrjedhimisht jemi duke i kryer detyrimet tona ligjore dhe kushtetuese duke marrë pjesë në seancë por jo vetëm duke marrë pjesë në seancë, por edhe duke marrë pjesë në proces të votimit siç është e përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Njëkohësisht është shumë e rëndësishme të potencohet që meqë ka sot një përfolje të vazhdueshme rreth emrit, ne ende nuk kemi ardhur deri tek propozimi i emrit”, ka thënë Peci.
Ndërkohë, nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë fajësuar kreun e LVV-së, Albin Kurti për situatën e krijuar tash e 1 muaj.
“Një seriali do ta quaja të turpshëm të peng-marrjes institucionale, të cilën po e realizon Lëvizja Vetëvendosje me bllokimin që po ja bënë jo vetëm konstituimit, por dhe krijimit të institucioneve sipas verdiktit të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit. Fiks një muaj më parë, ne jemi mbledhur këtu për herën e parë të gatshëm për të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe jemi një muaj më vonë dhe shumë muaj pas zgjedhjeve dhe jemi në bllokadën të cilën partia që ka dalë e para po vazhdon ta mbajë”, ka thënë Krasniqi/
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka folur edhe për deklarimin e bashkëpartiakes, Serbeze Kabashi-Muçaj, e cila një ditë më parë tha se “është e pakuptimtë dhe e padrejtë që përgjegjësia për zhbllokimin institucional t’i lihet vetëm një partie”.
“Asnjëherë nuk kemi kërkuar garanci apo nuk kemi bërë trysni që deputetët e grupit tonë, pra deputetët e Lidhjes Demokratike, sepse ende grupet nuk janë formuar dhe konstituar, ne nuk kemi kërkuar ose nuk kemi ushtruar kurrfarë presioni që të votohet në formë të caktuar. Thjesht ka qenë qëndrim i partisë ndaj të cilës ka pasur përkrahje nga të gjithë deputetët. Konsideroj që postimi ka qenë publik dhe mënyra si është interpretuar ka pasur mënyra të ndryshme”, ka thënë Bajrami.
Cirk e ka quajtur situatën në Kuvend, Time Kadriaj nga AAK.
“Për respekt jemi ndal sot këtu, për shkak se po na vjen keq që po detyroheni çdo 48 orë, edhe ju si media me ardh me përcjell një cirk që po ndodh në Kuvendin e Kosovës, pa ndonjë ndryshim, pa tentim të ndryshimit nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse ju keni pa, është dhënë alternativa, e thanë edhe parafolësit, këta janë lidhur me një emër që nuk po kalon dhe nuk po merr më shumë se 55 vota..” , ka thënë Kadriaj.
Që nga 15 prilli legjislatura e re e Kuvendit nuk po mund të konstituohet për shkak se kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu nuk po merr votat e mjaftueshme.