1 muaj paraburgim për të dyshuarit për spiunazh, njëri është dëshmitar në Speciale
Dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë e municione, maska, gazmaska ushtarake e shumë dëshmi të tjera janë sekuestruar në dy lokacionet e bastisura në Ferizaj e që ndërlidhen me dy të dyshuarit për spiunazh, Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit. Të dyshuarit si spiun të BIA-s serbe kanë qëndruar në mbajtje deri sot […]
Dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë e municione, maska, gazmaska ushtarake e shumë dëshmi të tjera janë sekuestruar në dy lokacionet e bastisura në Ferizaj e që ndërlidhen me dy të dyshuarit për spiunazh, Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit.
Të dyshuarit si spiun të BIA-s serbe kanë qëndruar në mbajtje deri sot pas orës 13:00.
Prokuroria Speciale e paraqiti kërkesën për paraburgim. Ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar për spiunazh, ndërsa Muharrem Qerimit i ngarkohet edhe dyshimi për armëmbajtje pa leje.
Seanca ndaj të dyshuarve për spiunazh nisi rreth orës 15 në departamentin special të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Të dyshuarit dhe avokatët e tyre mbrojtës e morës përgjigjen, të dy u dërguan në paraburgim për 30 ditë.
Besnik Berisha dhe Arbnora Shefiku u paraqitën si avokat të Bedri Shabanit, dhe pretendojnë se nga Prokurori nuk u prezantua asnjë fjali, transkriptë, vëzhgim apo fotografi që e dëshmon se Bedri Shabani ka shërbyer si spiun i Serbisë.
Hetimi që ka filluar qe 8 muaj, sipas avokatit Besnik Berisha nuk ka sjellë asgjë përpos që i ka rrezikuar familjet e dy të dyshuarve për spiunazh.
“I cili ka rezultuar që t’i ketë dajtë në Sarajevë dhe ka rezultuar që kur ka shkuar tek dajtë e tij ka kaluar nëpër Serbi. Ka rezultuar që ka shkuar edhe në Shtërpcë edhe ka pirë kafe me njerëz të komunitetit serb. Mbase ndonjëri nga ta ka mundur të jetë edhe spiun por edhe se ka mundur të jetë i shërbimeve. Por asnjëherë kurrë Bedriu nuk ka pasur asnjë qasje në asnjë fakt apo provë që do t’i hynte në punë shërbimit e aq më pak do ta cënonte sigurinë kombëtare”, ka deklaruar Berisha.
Berisha e konfirmoi se klienti i tij ka qenë doganierë edhe në kohën e paraluftës.
Sipas tij, Bedri Shabani ia ka konfirmuar se është dëshmitar në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe e gjithë kjo sipas avokatit të tij po bëhet për hakmarrje.
“Është dëshmitar që ta dini i Prokurorisë edhe në Hagë. Në rastin e Prokurorisë (Speciale në Hagë) ai na tha publikisht, unë e thash në seancë, nuk është rast konfidencial sipas tij, sepse nuk do ta zbuloja këtë. Dhe ai mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij disa vite e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Ndërsa ky prononcim përfundoi para mediave nuk u paraqit asnjë avokat mbrojtës i Muharrem Qerimit.
Të njëjtit janë vëzhguar për një kohë të gjatë nga AKI dhe janë arrestuar të mërkurën në orët e mëngjesit në Ferizaj, ku edhe janë kryer bastisje në dy lokacione.















