“10 vjet punë për Kodin Civil, peng i një neni për martesat e gjinisë së njëjtë”
Projektkodi Civil vazhdon të mbetet në “sirtarët” e Qeverisë së Kosovës. Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, në “Five” të RTV Dukagjinit, tha se është e sigurt se ky projektkod nuk do të shkojë në Kuvend këtë mandat të Qeverisë aktuale. Ajo tha se Qeveria nuk i ka votat e mjaftueshme dhe se deputetët […]
Projektkodi Civil vazhdon të mbetet në “sirtarët” e Qeverisë së Kosovës. Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, në “Five” të RTV Dukagjinit, tha se është e sigurt se ky projektkod nuk do të shkojë në Kuvend këtë mandat të Qeverisë aktuale.
Ajo tha se Qeveria nuk i ka votat e mjaftueshme dhe se deputetët që kanë votuar kundër nuk e kanë ndërruar mendjen.
“Jam e sigurt që nuk vjen në këtë mandat në votim. Nuk e kam ndërruar qëndrimin as unë as deputetët të tjerë. Opozita ka venduar mos me votu asnjë ligj, pa votat e tyre kodi civil nuk mundet me kalu… Ne kemi dhënë propozim Qeverisë që t’i heqin disa nene për LGBT+. Në fund ka dalë se as Qeveria nuk është e interesuar ta kalojë Kodin Civil… Kemi propozuar të bëjmë ligj të veçantë për komunitetin LGBT. Nuk votojmë, arsyet janë konkrete, mendojmë se janë logjike. Nuk e besoj që Qeveria apo kryesia do ta fusë në rend të ditës”, tha ajo.
Avokati Yll Zekaj tha se projektkodi civil është punë 10-vjeçare dhe se është e pakuptimtë që për shkak të një neni të bllokohet e gjithë puna.
Sipas tij, Qeveria duhet të gjejë forma që të miratohet në Kuvend dhe nëse prapë deputetët votojnë kundër, atëherë duhet që neni që i lejon martesat mes gjinisë së njëjtë të largohet nga kodi civil dhe të bëhet ligj i veçantë.
“Rëndësia e këtij kodi është e pakontestueshme…kemi ligje prej vitit 2006 që nuk janë ndryshuar, është problematike të mbahen 1630 nene të këtij kodi të mbahen peng i një neni 1138 dhe të mos gjejë Qeveria modalitete me kuvendin që të procedohet tutje. Qytetarët po mbahen peng për shkak të një neni, kemi dy vite prej kur ka dështuar tentativa për të kaluar ky kod… Qeveria ende nuk gjen modalitete për ta kaluar”
“Ka rezistencë për shkak të mentalitetit të kaluarës dhe rrethanave, normat juridike duhet t’i përshtatet rrethanave socioekonomike. Nëse ka modalitete të tilla nuk mund të vazhdohen për dy vite të tëra, të mbahen peng qytetarët për raportet civile juridike. Duhet të gjendet mundësia që ndoshta që kjo dispozitë të hiqet nga kodi dhe të tentohet në mënyrë që të formohet ai ligj i veçantë dhe të shihet nëse merr konsensusin e deputetëve dhe qytetarëve. Nuk mundet për shkak të një neni të bllokohet e tërë puna që gati një dekadë është bërë punë”, vijoi Zekaj.
Edhe Abdullah Klinaku nga “Demokracia Konservatore”, e fajësoi Qeverinë për dështimin e Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës.
“Nëse vazhdohet me këtë qëllim si ka qenë si draft i parë, nuk duhet të kalojë dhe besoj që s’do të kalojë nuk besoj që procedohet në kuvend. S’besoj që këtë mandat procedohet, se është futur në një situatë që s’di si do të dalë. Nuk kalon, me ketë draft për kodin civil… Nuk është dashur që Qeveria të marrë në thue vetëm për një dispozitë të tillë…. Qëndrimi jonë ka qenë konsistent që martesa mes gjinisë së njëjtë është i papranueshëm. Familja është aseti kryesor i shoqërisë sonë dhe duhet ta ruajmë”, tha ai.
Në mbledhjen e saj të 172-të, Qeveria e Kosovës e kishte ndryshuar programin legjislativ për vitin 2023. Ajo kishte bartur për vitin 2024, 21 projektligje të planifikuara për këtë vit, ka tërhequr një projektligj për këtë vit, si dhe u ka ndryshuar afatin e miratimit 20 projektligjeve, përderisa ka shtuar edhe dy projektligje për miratim.
Në mesin e projektligjeve të bartura është edhe ai i Kodit Civil të Kosovës. Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e kishte përmendur ndonjë arsyetim të qartë se cilat janë shkaqet e shtyrjes së miratimit të Kodit Civil. Ai thoshte se për shkak të planifikimit më të mirë duhet shqyrtuar dhe miratuar vitin e ardhshëm (2024) 21 projektligjet e shtyra.















