11 marinarë të zhdukur pasi një dron fundos anijen pranë Bullgarisë

Njëmbëdhjetë marinarë rezultojnë të zhdukur në det të martën, pasi një anije u fundos si pasojë e një sulmi me dron në brigjet e Bullgarisë. Incidenti mund të jetë rasti i dytë me pasoja vdekjeprurëse i fundosjes së një anijeje transportuese në këtë zonë brenda një jave, duke bërë që Bullgaria të thërrasë ambasadorin rus.

Sipas zyrtarëve bullgarë, dy anije transportuese u goditën nga dronë gjatë natës, ndërsa njëra prej tyre u fundos. Bullgaria nuk e akuzoi drejtpërdrejt Rusinë për sulmet, por kryeministri Rumen Radev deklaroi se rezultatet e tyre “i shërbejnë Federatës Ruse”, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Nga Moska nuk pati reagim të menjëhershëm lidhur me incidentet.

“Kjo është absolutisht e papranueshme – një tjetër sulm në afërsi të menjëhershme të ujërave territoriale bullgare”, tha Radev në një deklaratë televizive.

Sulmet u dënuan edhe nga Ukraina dhe Bashkimi Evropian.

“Deti i Zi është shndërruar në një tjetër front të përshkallëzimit të luftës së Rusisë në Ukrainë”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në rrjetin social X. Ajo shtoi se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha në X të martën se sulmi “dëshmon edhe një herë shpërfilljen e qëllimshme të Moskës ndaj jetëve të civilëve”.

“Deti i Zi është një arterie jetike për sigurinë ushqimore globale. Rusia po e sulmon atë për ta përdorur urinë si armë dhe për ta mbajtur botën peng”, deklaroi Sybiha.

Gjatë një bisede telefonike të martën me von der Leyen dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Radev kërkoi mbështetjen e tyre për forcimin e mbikëqyrjes detare dhe të hapësirës ajrore të vendit, bëri të ditur qeveria bullgare përmes një deklarate.

Ndërkaq, Rutte deklaroi se NATO-ja do të vazhdojë ta përshtatë praninë e saj ushtarake në krahun lindor të aleancës, sipas nevojës.

Të fundit nga rubrika