119 të vdekur e mbi 150 të zhdukur në Teksas pas përmbytjeve shkatërruese
Të paktën 95 persona kanë humbur jetën në Kerr County, Teksas, sipas autoriteteve, pasi përmbytje të fuqishme goditën pjesën jug-qendrore të Teksasit të premten, duke shkaktuar gjithsej 119 viktima në mbarë shtetin. Sherifi i Kerr County, Larry Leitha, tha se më shumë se 150 persona rezultojnë ende të zhdukur në këtë qark që nga mëngjesi […]
Të paktën 95 persona kanë humbur jetën në Kerr County, Teksas, sipas autoriteteve, pasi përmbytje të fuqishme goditën pjesën jug-qendrore të Teksasit të premten, duke shkaktuar gjithsej 119 viktima në mbarë shtetin.
Sherifi i Kerr County, Larry Leitha, tha se më shumë se 150 persona rezultojnë ende të zhdukur në këtë qark që nga mëngjesi i së mërkurës, përfshirë pesë kamperë dhe një këshilltare nga Camp Mystic, një kamp veror i krishterë për vajza i vendosur në brigjet e lumit Guadalupe.
Vetëm në Kerr County, sipas Leithas, kanë vdekur të paktën 36 fëmijë dhe 59 të rritur.
Zyrtarët po vazhdojnë operacionet e gjera të kërkim-shpëtimit, duke përdorur makineri të rënda për të pastruar mbeturinat, njoftoi policia.
Në orën e parë të përmbytjes të premten, ekipet e emergjencës evakuuan mbi 100 shtëpi dhe shpëtuan më shumë se 200 persona, duke i zgjuar dhe nxjerrë nga banesat e tyre, tha Jonathan Lamb, zyrtar për shërbime komunitare në Departamentin e Policisë në Kerrville (KPD).
“Miqtë e mi, nuk e di sa jetë ka shpëtuar ekipi ynë i KPD-së për vetëm një orë në Kerrville, por e di që kjo tragjedi, sado e tmerrshme të jetë, mund të kishte qenë shumë më e keqe,” tha Lamb.
Christian Fell nga Hunt, Teksas, ishte një nga të shumtit që u detyrua të largohej nga shtëpia kur ajo u përmbyt herët të premten në mëngjes.
Ai i tha BBC-së se tentoi të arrinte deri te kamioni i tij në errësirë të plotë, por kur hapi derën e kuzhinës, një “mur gjigant uji” erdhi drejt tij.
“U përpoqa ta mbyllja derën, por nuk munda për shkak të fuqisë së madhe të ujit, ndaj më duhej të tërhiqesha më thellë në shtëpi,” tregoi ai.
Mobiljet e tij po notonin dhe ai u detyrua të ngjitej mbi to për të arritur në dhomën e gjumit. Më pas pa një dritare dhe notoi përmes saj për të dalë jashtë, ku u ngjit mbi një kuti matëse elektrike dhe qëndroi atje për tre orë.
Zbriti vetëm kur pa një oficer policie duke ecur në rrugë.
“Isha kapur pas murit të shtëpisë, duke u lutur që uji të ndalej,” tha ai.
Z. Fell tha se nuk kishte marrë asnjë alarm për motin derisa uji tashmë kishte hyrë në shtëpi.
Maria Paula Zarate dhe Silvana Garza Valdez ishin këshilltare në Camp Mystic kur lumi Guadalupe filloi të fryhej në orët e para të së premtes.
Zarate tregoi se ajo dhe kampistet nuk mund të flinin për shkak të zhurmës së madhe të shiut.
“Ishte një stuhi si asnjë tjetër që kisha përjetuar ndonjëherë në jetën time,” tha Garza Valdez.
Ajo shtoi se pjesa buzë lumit në kamp kishte nisur të shembej nga balta dhe dheu. Disa këshilltare nisën të qanin kur u njoftua se ishte koha për evakuim, ndërsa kamionë të ushtrisë kishin ardhur për t’i shpëtuar.
“U ndjeva sikur isha në një ëndërr,” tha ajo.
Zarate tha se lumi ishte “plot me mobilje që kishin ardhur nga kampet e tjera.”
Janë ngritur pyetje nëse autoritetet kanë dhënë paralajmërime të mjaftueshme për përmbytjet para katastrofës dhe pse nuk është urdhëruar një evakuim më herët.
Ekspertët thonë se disa faktorë kontribuan në këtë tragjedi në Teksas, përfshirë motin ekstrem, vendndodhjen e shtëpive pushimore dhe kohën kur ndodhi përmbytja.
Guvernatori Greg Abbott tha se autoritetet kishin dhënë një paralajmërim për stuhi dhe ishin në dijeni për mundësinë e përmbytjeve të shpejta, por “nuk e kishin kuptuar madhësinë e stuhisë”./BBC















