Është koha kur këta punëtorë do të duhet të ishin në krye të detyrës. Por, ata të flotës së minierës në Kishnicë, po vazhdojnë për të dytën ditë me radhë grevën në vendin e punës.

Ani pse janë nën menaxhimin e minierës së Trepçës, dallimi i tyre me punëtorët e sektorit të njëjtë në Stantërg është paga.

Mosnivelizimi i pagave është edhe arsye që 120 punëtorë të Kishnicës janë duke bojkotuar punën.

“Nivelizimi i pagave në nivel të kombinatit, për të njëjtën punë që kryej unë atë që janë në flotacion të Trepcë paguhen më shtrenjtë. Ata marrin pagë më të lartë e ne. Na jemi të revoltum edhe për shkak se pas hapjes së mensës,  na I kanë ndalur nga 90 euro nga paga që ishin të destinuara për shuajta”, ka thënë Xhevdet Zymeri – Përfaqësues i punëtorëve.

Për kërkesën e tyre, tashmë është njoftuar edhe menaxhmenti drejtues.

Sipas Hysni Beqirit, kjo e drejtë e shkelur e punëtorëve është trashëguar nga udhëheqësit e kaluar.

“Është një kërkes e punëtorëve të flotacionit në Kishnicë për nivelizim të pagave më punëtorët e flotacionit të tunelit të parë në Trepcë. Kërkesa e tyre është adresuar të premten dhe të enjten ka qenë pushim dhe kërkesa e tyre është në shqyrtim”, ka deklaruar Hysni Beqiri- Udhëheqës i Njësisë Biznesore.

Beqiri, ka bërë të ditur për televizionin se miniera e Kishnicës tash e një periudhë është duke operuar më humbje, shkaku i problemeve të vazhdueshme nga ato teknike e deri tek mungesa e kuadrove të reja.