120 vrasjet e Dukagjinit, hetimet vazhdojnë

Vetëm në rajonin e Pejës janë rreth 120 vrasje të pasluftës, të cilat nuk dihet se kush i kreu. Drejtësia akoma nuk ia ka dalë të zbuloj se kush ishte autor i këtyre krimeve të rënda, që tronditën Pejën menjëherë pas luftës. Rasti i Smajl Hajdarajt është vetëm një prej tyre. Djali i ish-deputetit të LDK-së, ka thënë se beson akoma që do ta gjej vrasësin e babait

Shpëtim Hajdaraj ka gati 20 vjet që kërkon drejtësi për vrasjen e babait të tij, Smajl Hajdarajt.

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte ekzekutuar në janar të vitit 2002, para hyrjes së banesës së tij.

“Mendoj që duhet të zbardhen sa më shpejtë sepse vrasësit janë mes nesh.  Me siguri takohemi nëpër rrugë, takohemi me ta edhe jetojnë në mesin tonë. Unë kam shpresë në drejtësi, nuk e di sa do të vonoj, atë nuk e di, por besoj që drejtësia do të dal dhe do të zgjidhet edhe kjo edhe uroj të gjitha jo vetëm kjo”, ka thënë djali i Smajl Hajdaraj, Shpëtimi për RTV Dukagjinin.

Djali i Smajl Hajdaraj, Shpëtimi

Rasti i Smajl Hajdarajt, është një prej rreth 120 vrasjeve të pasluftës që ndodhën në rajonin e Pejës, e të cilat nuk u zbulua asnjëherë se kush i kreu.

Përkundër mungesës së hetimeve të duhura nga institucionet, Shpëtimi Hajdaraj thotë se i kanë dyshimet e tyre se kush e ka porositur vrasjen.

“Dyshimet kanë qenë ndaj kundërshtarëve politik që e kanë sponsporizu, apo që e kanë inicu vrasjen. Do të thotë vrasësit mund të jenë krejt me pagesë, apo kështu, mirëpo ka qenë me urdhër. Ajo ka qenë një hierarki e veprimeve”, ka thënë, Hajdaraj.

E me vrasjet e pazgjidhura në rajonin e Pejës, po merret Prokuroria Themelore e këtij qyteti.

“Vet fakti që kanë ndodhë para 20 vjetëve tregon se janë hetime komplekse, për shkak se është shumë e vështirë që gjatë hetimeve të sigurohen prova të cilat do të zbulonin autorin ose kryesin e mundshëm të veprës penale. Ndërkaq, po ashtu edhe dëshmitarët e mundshëm shumica prej tyre janë në botën e jashtme apo edhe kanë ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Shkodran Nikçi, ka treguar se kanë pak prokurorë që merren me këto krime.

“I kemi vetëm pesë prokuror dhe tek secili këto dhjetë raste janë nda nga dy raste tek një prokuror, objektiva ka qenë që me këto dhjetë raste të shënjestruara fillimisht të punohet në mënyrë intensive dhe të kapen autorët, më pas për t’u shënjestruar edhe rastet e tjera të cilat potencialisht mund të zbulohen”, ka thënë Nikçi, për RTV Dukagjinin.

Në Pejë, menjëherë pas luftës, vrasjet ndodhën për motive të ndryshme. Pikëpamjet politike dhe hakmarrja dyshohet të jenë dy prej arsyeve kryesore.

E për mungesën e dënimeve për këto vrasje, Veton Muja me organizatën e tij “Syri Vizon Pejë”, ka mbajtur disa protesta.

Veton Muja

“Fatkeqësisht kjo dukuri po vazhdon të mbetet e pa trajtuar gjerësisht. Edhe opinioni sigurisht se e ka humbur besimin në formën e përgjithshme se këtyre rasteve mund të ju gjendet zgjidhje. Moszgjidhja e këtyre rasteve të dërgon edhe në raste të tjera. Në njëfarë forme, i shtynë njerëzit ose kriminelët e mundshëm që të bëjnë vepra sepse nuk po dënohen”, ka thënë Mujaj, për RTV Dukagjinin.

Sikur në Pejë, vrasje të ngjashme kishin ndodhur edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Në gjithë vendin, vlerësohet të jenë rreth 500 raste të vrasjeve për të cilat nuk është vënë drejtësi.

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika