Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në vend janë konfirmuar 14 raste të fruthit.
Sipas të dhënave të institutit, numri më i madh i rasteve është regjistruar në komunën e Ferizajt me pesë raste, në Prishtinë dhe Kaçanik me nga tre raste secila, ndërsa nga një rast është raportuar në Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
IKSHPK thekson se të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuara me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës).
Sipas institucionit, pacientët kanë marrë trajtim spitalor, çka tregon për rrezikun e komplikimeve që mund të shkaktojë kjo sëmundje.
Duke marrë parasysh se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, IKSHPK ka bërë thirrje urgjente për prindërit që të verifikojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata në qendrat e Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse.
Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar të shmangin kontaktet me persona që shfaqin simptoma të dyshimta si temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, kollë apo rrufë. Personat me shenja të tilla, sipas IKSHPK-së, duhet të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
Instituti ka bërë të ditur se po e monitoron në vazhdimësi situatën epidemiologjike dhe ka intensifikuar masat në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin e prindërve për vaksinim dhe angazhimin e ekipeve mobile në zonat me mbulueshmëri të ulët vaksinale.
IKSHPK përsërit se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik, duke paralajmëruar se çdo vonesë në imunizim rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjes dhe komplikimeve serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.