Policia e Kosovës ka përmbyllur me sukses një operacion të gjerë kundër aktiviteteve të ilegale në Prishtinë, si skema piramidale dhe organizime të lojërave të fatit.

Operacioni ka nisur më 25 prill, pas pranimit të informatave të besueshme, dhe është zhvilluar në disa lokacione të ndryshme në kryeqytet.

Sipas Policisë, janë inspektuar 75 lokacione – përfshirë shtëpi, lokale afariste dhe objekte të tjera – ku në 25 prej tyre janë kryer kontrolle të detajuara.

Si rezultat, 7 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë dhe inspektoratet komunale për mungesë dokumentacioni dhe licencash.

Gjatë operacionit janë arrestuar 14 persona, ku 7 prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa 7 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, janë iniciuar 10 raste penale që përfshijnë organizim të lojërave të fatit, armëmbajtje pa leje, posedim dhe përpunim të substancave narkotike.

Ndërsa, janë sekuestruar: 13 aparate për lojëra të fatit, një armë automatike AK-47, një thikë, një boks metalik, pajisje laboratorike për përpunimin e drogës, një sasi të dyshuar narkotikësh, 2,726 euro para të gatshme, 2 laptopë, 1 printer, një çantë me çipa, 15 palë letra bixhozi dhe 3 telefona mobil të përdorur për pagesa online në bastore sportive.

Policia e Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në luftimin e aktiviteteve të jashtëligjshme që rrezikojnë rendin dhe sigurinë publike.