Një 15-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një goditje me thikë në Prizren.
Rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 23:45, kur Policia e Kosovës është njoftuar për incidentin.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet emergjente, të cilat i kanë dhënë ndihmën e parë të miturit dhe më pas e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 15-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi.
Ndërkohë, pak më larg vendit të ngjarjes, Policia ka identifikuar dhe arrestuar një 17-vjeçar, te i cili është gjetur dhe sekuestruar një thikë, që dyshohet se është përdorur në rast.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
I dyshuari, i cili është po ashtu i mitur, është ndaluar për 24 orë.
Policia ka bërë të ditur se, për shkak të moshës, as viktima dhe as i dyshuari nuk kanë pasur raste të mëhershme të regjistruara në evidencat policore.