15 ushtarët e lënduar të KFOR-it kthehen në Itali

KFOR-i ka bërë të ditur se 15 ushtarë italianë të lënduar janë kthyer në Itali për trajtim mjekësor

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur më 5 qershor se 15 ushtarë italianë të lënduar janë kthyer në shtëpi për trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit të KFOR-it, 11 prej këtyre ushtarëve të lënduar i kishin pësuar lëndimet gjatë përleshjeve më 29 maj në Zveçan, ndërsa tetë të tjerë u referuan nga kampi Villagio Italia në Pejë për trajtime mjekësore.

“Sot, 15 nga 19 trupat u kthyen në Itali dhe u transferuan në spitalin ushtarak italian ‘Celio’ për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Të tjerët do të shërohen në infermierinë mjekësore të KFOR-it në Shtabin e KFOR-it dhe janë planifikuar që së shpejti të kthehen në detyrat e tyre”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar ushtarët italianë në Aeroportin e Prishtinës, për t’i uruar edhe një herë shërim të shpejtë dhe të plotë.

Në po të njëjtën ditë, NATO bëri të ditur se kanë filluar të arrijnë në Kosovë trupat përforcues, të përbërë nga 500 ushtarë të ardhur nga Turqia.

NATO tha se këta trupa përforcues do të qëndrojnë në Kosovë për “aq sa të ketë nevojë” dhe se edhe një batalion tjetër është vënë në gatishmëri të lartë për dislokim në Kosovë në rast nevoje.

Lexo edhe: Trupa shtesë të NATO-s mbërrijnë në Kosovë

Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Po në këtë ditë, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.

Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Situata në veri ka bërë që NATO që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4 mijë trupave që veçse janë në këtë shtet.

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika