15 vjet shtet- Urimi i Biden, Macron, Steinmeier e Mattarella për Kosovën

Në rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, shteti ka marrë urime nga presidenti Biden, Steinmeier, Macron dhe Mattarella

Flamuri i Kosovës

Në rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, shteti ka marrë urime nga presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti italian, Sergio Mattarella.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka uruar mbrëmjen e 16 shkurtit presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës, gjersa shënoni 15-vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj. Përgjatë viteve të fundit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet tona”, ka thënë presidenti Biden.

Biden tha se mirëpresin miratim e Kosovës të propozimit evropian.

“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin, me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më të qetë dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Biden.

Kosova urime për 15 vjetorin e shtetësisë ka pranuar edhe nga presidenti  francez Macron, i cili ka theksuar se Franca e mbështet  Kosovën në përpjekjet e saj për forcim e sundim të ligjit.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron

“Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor […] Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas”, ka shkruar Macron.

Ndër të tjera, presidenti Macron ka bërë thirrje për forcim të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që ta lehtësojë integrimin evropian, duke thënë se mund të llogarisë në përkrahjen e Francës.

Ndërkaq, presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Stenimeier, ka uruar gjithashtu Osmanin në nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier

Në letrën e tij, Stenimeier ka përmendur angazhimin e Kosovës për vlera evropiane, dhe në këtë kontekst, ka vlerësuar partneritetin në raport me luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

“Jam i lumtur që vitin e kaluar gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Berlin, me nënshkrimin e tre marrëveshjeve rajonale të mobilitetit, mundëm të arrijmë një sukses dhe të hedhim një hap të mirë përpara për krijimin Tregut të Përbashkët Rajonal domethënës për zhvillimin ekonomik të rajonit. Qëllim i përbashkët i Kosovës dhe Gjermanisë mbetet integrimi i vendit tuaj në bashkësinë ndërkombëtare. Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Kosovës”, ka theksuar në letër presidenti Steinmeier.

Sipas tij, dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE mbetet një sfidë thelbësore për vendin, për normalizimin e marrëdhënieve të të dyja vendeve.

“Gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së. Në këtë rrugë, ju mund të jeni të sigurt që e keni mbështetjen e Gjermanisë si partnere e besueshme e Kosovës”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Steinmeier dërguar presidentes Osmani.

Njashtu, Osmani letër urimi ka pranuar edhe nga presidenti italia, Sergio Mattarella, Ii cili ka thënë se “uroj sinqerisht që propozimi evropian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim evropian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”.

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella

Në letrën e tij, presidenti Mattarella ka uruar presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve.

Mattarella uroi që propozimi evropian për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të mund të pranohet, duke theksuar se kjo është edhe në dobi të Kosovës për integrim evropian.

“Konteksti aktual evropian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uroj sinqerisht që propozimi evropian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim evropian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Mattarella.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika