Rusia kreu sulmin më vdekjeprurës që nga fillimi i këtij viti gjatë natës që kaloi në kryeqytetit ukrainas Kiev dhe qyteteve të tjera, duke vrarë 16 persona, përfshirë një fëmijë 12-vjeçar, dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas.
Zjarre të mëdha shpërthyen në pjesë të kryeqytetit ndërsa zjarrfikësit luftonin për të vënë nën kontroll flakët në disa zona, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini,
Katër persona, përfshirë fëmijën, humbën jetën në Kiev, tha kryetari i bashkisë Vitali Klitschko.
Nëntë persona u vranë në Odesa dhe dy të tjerë në qytetin juglindor Dnipro, ku sulmet ruse përfshinë ndërtesa banimi, sipas zyrtarëve rajonalë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se nata e kaluar tregoi se Rusia nuk meriton asnjë lehtësim të politikave globale apo heqje të sanksioneve, ndërsa numri i të plagosurve arriti në rreth 100 persona.
“Nuk mund të ketë normalizim të Rusisë siç është sot. Presioni ndaj Rusisë duhet të funksionojë. Është e rëndësishme që çdo premtim për ndihmë ndaj Ukrainës të përmbushet në kohë,” tha ai.
Forcat ajrore ukrainase bënë të ditur se rrëzuan ose neutralizuan 31 raketa dhe 636 dronë, por 12 raketa dhe 20 dronë arritën të godasin objektiva gjatë 24 orëve deri në orën 07:00 të mëngjesit.
Zëvendëskryeministri Oleksiy Kuleba tha se operacionet e shpëtimit po vazhdojnë dhe se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ministri i Jashtëm Andrii Sybiha i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë.
“Të gjitha vendimet për të rritur presionin ndaj agresorit duhet të merren tani. Është e pamoralshme, kundërproduktive dhe e rrezikshme të vonohen sanksionet ndaj Rusisë apo paketat e ndihmës për Ukrainën,” shkroi ai në platformën X.
Klitschko tha se Kievi u godit sërish herët në mëngjesin e së enjtes, duke shtuar se një dron që fluturonte shumë ulët u përplas me një ndërtesë 18-katëshe.
Prokurorët njoftuan se numri i të plagosurve në qytet ka arritur në 54
Një zjarr i madh shpërtheu në një ndërtesë në veri të kryeqytetit ku katër punonjës të emergjencës u plagosën.
Në Odesa, nëntë persona u vranë dhe 23 u plagosën pas një sulmi mbi një ndërtesë shumëkatëshe.
“Natën e kaluar, qyteti u godit nga disa valë sulmesh me raketa dhe dronë,” tha Serhiy Lysak, duke raportuar dëme në infrastrukturë dhe ndërtesa banimi.
Në Dnipro, guvernatori rajonal Oleksandr Ganzha tha se dy persona u vranë dhe 30 u plagosën nga sulmet gjatë mbrëmjes dhe natës, ndërsa publikoi pamje të ndërtesave në flakë.
Një tjetër person u vra dhe katër të tjerë u plagosën në rajonin përreth.
Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në verilindje të Ukrainës, zyrtarët thanë se dy persona u plagosën nga sulmet me dronë.