Të paktën 16 persona, përfshirë pesë pjesëtarë të policisë, janë vrarë pasi një automjet i ngarkuar me eksplozivë është përplasur në një xhami në veriperëndim të Pakistanit.
Sulmi ka ndodhur në distriktin Kohat, në provincën Khyber Pakhtunkhwa, pranë selisë së policisë. Sipas një zyrtari të lartë policor në Peshawar, pas shpërthimit ka nisur edhe një përleshje me armë mes sulmuesve dhe forcave të sigurisë.
Një nga sulmuesit është vrarë, ndërsa operacioni i shpëtimit është duke vazhduar. Shefi i Policisë së Khyber Pakhtunkhwa, Zulfikar Hameed, e ka cilësuar sulmin si “sulm vetëvrasës”, raportoi Reuters.
Deri tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, ka shprehur ngushëllimet për viktimat dhe ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit. Edhe kryeministri Muhammad Shehbaz Sharif e ka dënuar shpërthimin.
Dhuna e armatosur në zonat kufitare të Pakistanit është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, me sulme që kanë shënjestruar kryesisht forcat ushtarake dhe policinë.
Islamabadi akuzon militantët se përdorin territorin e Afganistanit për t’u trajnuar dhe planifikuar sulme në Pakistan. Qeveria talibane në Kabul i mohon këto akuza dhe thotë se militantizmi është problem i brendshëm i Pakistanit.
