Këtë të hënë, më 7 korrik, Kuvendi i Kosovës do të mbajë vazhdimin e 43-të të seancës konstituive, në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit dhe për të përmbyllur hapat e konstituimit të legjislaturës së re.

Seancat e fundit po dështojnë për shkak të mungesës së pajtimit ndërmjet partive politike lidhur me formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Ajo është propozuar për kryetare të Kuvendit, por është kundërshtuar nga partitë ish-opozitare, të cilat e konsiderojnë një figurë jounifikuese dhe i kanë kërkuar VV-së të propozojë një emër tjetër.

Vetëvendosje, në anën tjetër, ka mbrojtur kandidaturën e saj, duke theksuar se e ka të drejtën si fituese e zgjedhjeve për të propozuar kryetarin e Kuvendit.

Në një situatë bllokimi që zgjat tashmë prej katër muajsh pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, afati kushtetues për përfundimin e seancës konstituive po shkon drejt fundit.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese interpretoi se deputetët janë të detyruar që brenda 30 ditëve nga mbajtja e seancës së parë të konstituimit ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Duke llogaritur nga 27 qershori, mbesin edhe 19 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues.

PDK-ja e ka cilësuar këtë zvarritje si shkelje të Kushtetutës dhe të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa rreziku që Kuvendi të dështojë në konstituimin brenda afatit është më i madh se kurrë.