Të paktën 19 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit, njoftoi Ministria libaneze e Shëndetësisë.
Sipas autoriteteve, dhjetë prej viktimave, mes tyre tre fëmijë dhe tre gra, humbën jetën pasi një sulm goditi një shtëpi në qytetin Deir Qanoun. Tre persona të tjerë, përfshirë një vajzë të mitur, mbetën të plagosur, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ministria bëri të ditur gjithashtu se në distriktet Nabatieh dhe Tyre, sulmet izraelite shkaktuan edhe nëntë të vdekur dhe 29 të plagosur.
Përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes për zgjatjen e armëpushimit me 45 ditë, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Bisedimet mes palëve pritet të rifillojnë në fillim të qershorit.
Luftimet u intensifikuan pasi Hezbollah hodhi raketa drejt Izraelit më 2 mars, në atë që grupi e përshkroi si reagim ndaj sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit.
Izraeli thotë se objektiv i operacioneve të tij është Hezbollahu, por gjatë sulmeve janë vrarë shpesh edhe civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Nga ana tjetër, Hezbollahu ka vazhduar sulmet me raketa dhe dronë ndaj veriut të Izraelit dhe trupave izraelite në jug të Libanit.
Ushtria izraelite njoftoi të martën se një tjetër ushtar izraelit u vra gjatë një sulmi të Hezbollahut në jug të Libanit.
Ndërkohë, Hezbollahu deklaroi se luftëtarët e tij u përleshën me forcat izraelite pranë qytetit Haddatha dhe pretendoi se ka shkatërruar një tank izraelit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, numri i të vrarëve nga sulmet izraelite që prej marsit ka kaluar shifrën 3 mijë.
