Mbi 100 mijë euro janë llogaritjet e dëmve që ka pësuar Komuna e Vushtrrisë nga vërshimet e muajit të kaluar.

Pothuajse të gjitha tokat e punuara e rrugët në këtë komunë u mbuluan nga shiu. Drejtori i Bujqësisë në Vushtrri shpjegon se në cilat sektor u shkaktuan më së shumti dëme.

“21 kërkesa për vlerësim të dëmeve të shkaktuar në kultura bujqësore në kulturën e lakres, pasi ka qenë në përfundim, komisioni është duke punuar edhe në vlerësimin e grurit. Deri tash,  deri në 100 mijë euro është dëmi që është bërë nga vërshimet në sektorin e bujqësisë  në komunën e Vushtrrisë”, ka theksuar Ergin Sunguri – Drejtor i Bujqësisë në Vushtrri.

Pasoja sikurse Vushtrria, nga vërshimet patën edhe komunat e tjera të Kosovës. 24 prej tyre kanë dorëzuar deri tash edhe vlerën e dëmeve në Ministrinë e Bujqësisë, derisa kërkesa nuk iu është pranuar dy prej tyre.

Dëmët sipas Ministrisë janë bujqësi e blegtori.

“Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, raportet e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore në sektorin e bujqësisë, siç janë: erërat e forta, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe ngricat i kanë dorëzuar 24 komuna të vendit, ndërsa nga ky fond kanë përfituar 22 prej tyre. Bazuar në raportin e hartuar nga Komisioni për shqyrtimin e raporteve të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare në bujqësi dhe blegtori, të gjitha të dhënat e pranuara nga MBPZhR bazohen nga vlerësimet e komisioneve komunale, të cilat janë përgjegjëse për vlerësimin e gjendjes në terren, të pasqyruara në raportet e nënshkruara nga komisionet komunale, drejtorët e drejtorive për bujqësi, përmes Kryetarëve të Komunave gjegjëse”, thuhet nga zyra për informim në ministrin e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.

Për t’iu dal në ndihmë fermerëve, gjatë së martës,  Qeveria e Kosovës ndau një buxhet prej 2.8 milionë euro, buxhet ky që nuk do t’i mbulojë të gjitha dëmet.

Por, nga Ministria e Bujqësisë, për RTV Dukagjinin, kanë bërë të ditur se vlera e dëmit për 22 komunat, nuk do të mund të mbulohet me këtë buxhet.

“Vlera totale e dëmeve të deklaruara nga komunat është rreth 5 milionë Euro, ndërsa me vendimin e Qeverisë u aprovua ndarja e buxhetit në vlerë mbi 2.8 mln. Euro me mbulueshmëri të dëmeve prej 82% për kompensimin e dëmeve të cilat nga Komisioni për shqyrtimin e raporteve të dëmeve është konsideruar se i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas Udhëzuesit për kompensimin e dëmeve në bujqësi”, thuhet në njoftimin zyra për informim në MBPZH.

Komunat që do të përfitojnë nga ky buxhet janë: Deçani, Drenasi, Ferizaj, Gjakova, Gjilani, Istogu, Juniku, Kamenica, Leposaviqi, Lipjani, Malisheva, Mitrovica, Novobërda, Obiliqi, Peja, Podujeva, Prishtina, Rahoveci, Shtimja, Skenderaj, Vitia dhe komuna e Vushtrrisë.