Qirinjtë janë kthyer në përdorim çdo natë në dy familjet e vetme të mbetura në fshatin Kashtanjevë të Shtërpcës.

Ata janë pa energji elektrike tash e gati 1 muaj, situatë që u ka shkaktuar dëme e janë detyruar që t’i hedhin shumë produkte në mbeturina.

“Prej 17 janarit rrymë nuk kemi, në këtë trafon lidhen tri lagje dikun mbi 20 shtëpi. Ne jemi dy familje që jetojmë këtu përherë dhe ne jemi mbetë keq më së shumti”, ka deklaruar Fatmir Brahimi – banor i Kashtanjevës, Shtërpcë.

Brahimi thotë se ekipet të KEDS-it kishin dalë në vendin e ngjarjes, disa ditë pasi ishin njoftuar, por gjendja nuk ka ndryshuar.

“Kanë ardhë mas pesë dite, kanë thanë jo duhet më I ndrru kabllot, pastaj kanë ardhë mbas tri dite dhe e panë që u djeg trafo krejt”, ka shtuar Fatmir Brahimi – banor i Kashtanjevës, Shtërpcë.

Me hallin e këtyre dy familjeve, janë të njoftuar edhe Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike.

Në një përgjigje për televizionin, zyra për media e kësaj kompanie thonë se terreni i papërshtatshëm ka bërë të pamundur sanimin e problemit.

“KEDS është në dijeni për djegien e transformatorit në fshatin Kashtanjevë të Shtërpcës. Nënstacioni i afërt furnizon vetëm dy konsumatorë aktivë, ndërkaq të tjerët janë pronarë të disa vilave, të cilët vijnë kohë pas kohe për vizitë në atë zonë. Për shkak të konfiguracionit të papërshtatshëm malor, ku edhe gjendet transformatori i djegur, ekipet e terrenit të KEDS-it e kanë të pamundur të kenë qasje. KEDS po shqyrton mundësitë alternative të ndërrimit të lokacionit dhe vendosjen e transformatorit në një parcelë ku qasja për ekipet e terrenit është më e përshtatshme. Implementimi i këtij projekti do të realizohet në një afat sa më optimal” kanë thënë KEDS.

Përveç telasheve me energjinë elektrike, banorët e mbetur, shkaku i borës kanë pasur vështirësi edhe në qarkullim, derisa kalojnë kilometra të tërë deri në fshatin më të afërt për furnizimet e nevojshme.