20 tetori, edhe këtë vit shënon Ditën Botërore të Osteoporozës, e cila është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e indit kockor zvogëlohet, pra është sëmundje e indit kockor.

Thyerja e kockave te këta persona ndodhë edhe për shkak të traumës apo ngarkesës më të vogël. Dhe zakonisht thyerjet ndodhin te rruazat e shtyllës kurrizore, te kockat e femurit dhe te kyçi i dorës.

Mbi 200 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza, që në mbarë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç pësojnë një thyerje të kockave prej osteoporozës.

Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit dhe ajo prekë si femrat edhe meshkujt.

Disa prej faktorëve më të zakonshëm të rrezikut të osteoporozës janë: Mosha (mbi moshën 30 vjeç masa e kockës fillon të bjerë), Gjinia (femrat janë katër herë më të ndjeshme se sa meshkujt, veçanërisht gratë në kohën e menopauzës), Historia familjare (nëse ndonjë nga paraardhësit tuaj ka vuajtur nga osteoporoza apo thyerja e kockave atëherë ekziston rreziku edhe për pasardhësit), Mungesa e aktivitetit fizik (rritja e peshës dhe të ushqyerit jo të mirë, rrit rrezikun e kësaj sëmundje).

Osteoporoza njihet ndryshe si epidemi apo sëmundje e heshtur, për shkak se sëmundja zhvillohet gradualisht, është e padhimbshme dhe nuk ka simptoma të dukshme.

Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri. Frutat dhe perimet e pasura me vitamina janë të mira për shëndetin e kockave.

Ushqimet të cilat përmbajnë kalcium, rekomandohen veçanërisht të konsumohen nga personat të cilët kanë probleme shëndetësore me kocka. Dhe disa nga ushqimet që përmbajnë kalcium janë; produktet e qumështit, perimet jeshile, portokalli, arrat, bajamet, drithërat, lëngjet e frutave dhe të tjera.

Duhet kujdesur që kafeina dhe kripa të mos merren në sasi të tepërt, pasi ndikojnë në humbje të kalciumit.

Po aq e rëndësishme është edhe vitamina D për shëndetin më të mirë të kockave. Kjo vitaminë mund të sigurohet duke u ekspozuar në diellë për  15 minuta në ditë, por edhe përmes ushqimeve si; vaji i peshkut, veza, drithërat e të tjera.

Ndërsa sa i përket aktivitetit fizik, rekomandohet që të bëhen ushtrime të rregullta fizike, pasi kanë një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Njerëzit kanë nevojë për 30-40 minuta aktivitet fizik në ditë që nevojitet të bëhet 3 apo 4 herë në javë.

Ndërkaq, ndër faktorët e rëndësishëm për të qëndruar larg Osteoporozës janë mospirja e duhanit, mos pirja e tepërt e alkoolit dhe mbajtja e peshës trupore brenda kufijve. Gjithashtu edhe pijet e gazuara joalkoolike nuk duhet konsumuar tepër, pasi i dobësojnë kockat.

Kësisoj të ushqyerit e shëndetshëm që në moshë të hershme paraqet çelësin që kjo sëmundje të mos jetë prezente në kockat tuaja, në të kundërten ekziston mundësia që edhe në moshën 20 vjeç njerëzit të preken nga sëmundja e kockave e quajtur Osteoporozë, dita e së cilës shënohet çdo vit më 20 tetor.