2022/Greva në arsim, një muaj shkollat qëndruan pa nxënës  

Viti 2022 nuk ishte i zakonshëm për sektorin e arsimit, për shkak të grevës së organizuar nga SBAShK-u, e cila zgjati për një muaj

Vitet e fundit nuk ishin aspak të zakonshëm për Ministrinë e Arsimit. Rëndom ky është sektori me më së shumti probleme, e i cili u rëndua edhe më shumë këto vite.

Fillimisht, përballja me pandeminë bëri që shkollat të mbylleshin, humbje kjo mjaft e madhe për fëmijët. MAShTI, atë kohë, kishte tentuar që të zhvillonte mësim online, por që nuk doli shumë i suksesshëm.

Kur pandemia pothuajse përfundoi, dhe u mendua se do të kthehet normaliteti, u shfaq edhe një krizë tjetër, kësaj radhe e prodhuar nga faktori njeri.

Pandemia nuk ishte në dorën tonë, greva po. Greva u organizua pas paralajmërimeve të shumta të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, e cila kërkonte nga 100 euro më shumë deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Klasë pa nxënës

Kategorikisht kundër kësaj kërkesë ishte Qeveria e Kosovës, e cila e akuzonte SBAShK-un për grevë të politizuar dhe të ndikuar nga opozita.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, greva nisi me 25 gusht të vitit 2022, fundi pastaj nuk shihej nga askush.

Tensionet e krijuara mes Qeverisë dhe SBAShK-ut, e kishin arritur kulmin. Akuzat, sharjet e linçimet ishin pjesë e diskursit të drejtuara shumica ndaj sindikatës.

Mospajtimet shtoheshin, bashkë me to edhe ditët pa mësim për nxënësit, të cilët ishin humbësit më të mëdhenj në gjithë atë situatë të krijuar.

Takime pa rezultat

13 shtatori ishte data kur për herë të parë pas fillimit të grevës, ishte caktuar një takim me përfaqësuesit e Këshillit Grevist dhe Qeverisë së Kosovës.

Nga ky takim pritej të dilej me një marrëveshje, por ndodhi e kundërta. Qeveria insistonte se ishin sindikatat ato që nuk lëshonin pe, ndërsa sindikata e thoshte të njëjtën për Qeverinë e Kosovës.

Qeveria kishte vendosur që punëtorëve të sektorit të arsimit t’ua ndante 50 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga. Ky ishte lëshimi që ata e konsideronin që ishte bërë për ta.

“Kanë kërkuar 100 euro, ka qenë zero, ne u kemi thënë 50, ata ose krejt ose hiç, nuk është e mirë kjo logjikë e shantazhit”, kishte thënë Kurti.

Rrahman Jasharaj, SBAShK

Ndërkohë, nga sindikatat nga 100 euro që i kërkonin më herët, qeverisë si shenjë kompromisi i kishin kërkuar 70.

“Duhej të bisedonte seriozisht e jo të nxirrte fjali e të provonte të krijonte humor. Fajtor i kësaj situate është Qeveria Kurti dhe qëndrimi i gabuar i tyre ndaj kërkesave legjitime të grevistëve”, kishte thënë Jasharaj.

Qeveria nuk lëshonte pe e as sindikatat. Fëmijët vazhdonin të qëndronin pa mësim në shtëpitë e tyre.

Linçimi i Jasharajt

Figura kryesore, e cila edhe u shndërrua në simbol të grevës, ishte kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.

Përvec këtij simboli, ai ishte shndërruar në “tabelë qitjeje” nga militantë partiakë, qytetarë të revoltuar, por edhe nga vetë përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Jasharaj ishte bullizuar që nga kryeministri e deri te deputetët. Por më i ashpri ndaj tij ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili në Komisionin për Arsim, e kishte shprehur tërë “arsenalin” e tij ofendues karshi Jasharajt.


“I ke marrë fëmijët peng, dinjitetin e ke kthyer në para”, i kishte thënë Basha, Jasharajt.

Ndërkaq, Jasharaj i është kundërpërgjigjur Bashës.

“Deputetët si ti e kanë prurë gjendjen kështu”, ishte përgjigjur ai.

Përplasja mes tyre ka nisur në përfundim të mbledhjes së komisionit parlamentar, të cilën, Jasharaj e lëshoi para kohe shkaku i deklarimeve të deputetit Basha.

Greva përfundon pas një muaji, Qeveria kërcënon me paga

Me një muaj vonesë, kishte filluar mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë, pas pezullimit të grevës pesëjavore nga SBASHK-u.

Mësimi kishte filluar me tre tetor, një muaj më vonë se sa ishte paraparë. Përkundër pezullimit te grevës, Qeveria e Kosovës deklaronte se nuk do të paguheshin për muajin, në të cilin, nuk kishin punuar.

“Kush punon duhet të paguhet”, kështu kishte deklaruar ministri i Financave, Hekuran Murati, duke mos lëvizur nga pozicioni për mosekzekutimin e pagave të muajit shtator për mësimdhënësit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ky vendim i Qeverisë i kishte revoltuar mësimdhënësit. Pagë nuk u kishte dalë as atyre që nuk kishin qenë pjesë e grevës. Ndërkaq, sindikata kërcënonte prapë me grevë nëse pagat nuk do të procesoheshin.

Por, edhe kjo u tejkalua, Ministria e Arsimit mori vendim që orët e humbura të kompenzoheshin në ditët e vikendit, dhe pagat të procesoheshin normalisht.

Natyrisht edhe ky vendim nuk kaloi pa polemika, por që tashmë situata ishte më e qetë dhe mësimi kishte filluar.

Megjithatë, greva vetëm ishte pezulluar, SBAShK-u priste miratimin e Ligjit për Paga.

Ligji për Paga kalon, SBAShK-u vendos, në 2023 nuk ka greva

Më 22 dhjetor, nën polemika e debate të ashpra, u miratuar Ligji i Pagave për punëtorët e sektorit publikë.

Ky ligj u kundërshtua nga opozita, duke thënë se nuk dihen koeficientët si dhe nuk është punuar mirë për të gjitha kategoritë e përfshira.

Madje, LDK e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e miratuar në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës

Por, SBAShK-u, në një mbledhje të kryesisë gjatë këtij viti, kishte votuar unanimisht që vitin tjetër të mos ketë grevë për shkak të miratimit të këtij ligji.

“Kjo ishte kërkesa jonë”, u tha në mbledhjen e anëtarësisë së SBAShK-ut.
Paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, ndërsa me ligjin e ri pritet të arrijë në 620 euro.

Mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe kjo shumë pritet të rritet në 696 euro.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika