2023-ta, vit i Asociacionit

Në vitin 2023, disa data shënjuan ngjarje kyçe, kështu duke përfshirë edhe Asociacionin

Veriu i Kosovës

Datat 27 shkurt, 18 mars dhe 21 tetor ishin kyçe gjatë vitit 2023 në vorbullën e politikës kosovare, të quajtur Asociacion.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 27 shkurt 2023, në Bruksel, u dakorduan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç do të njihej pastaj si ”Marrëveshja Bazë”.

Dokumentit me 11 nene të dakorduar në Bruksel, iu shtua një Aneks i zbatimit, pas diskutimeve të stërzgjatura në Ohër.

E ky Aneks thekson nenin 7 të Marrëveshjes Bazë.

“Për të zbatuar Nenin 7, Kosova i nis menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja mbi arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, për të siguruar nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, në përshtatshmëri me marrëveshjet e dialogut siç janë përcaktuar nga lehtësuesi i BE-së”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ohër, me ndërmjetësit e BE-së për dialogun dhe me presidentin Aleksandër Vuçiq

“Vetëmenaxhimi”, për shumëkë nënkuptonte më shumë se Asociacion.

“Nuk do të doja, por frikësohem që Kurti po themelon diçka edhe më të keqe sesa ai Asociacion që është paraparë në marrëveshjen e vitit 2013, sepse kjo me vetëmenaxhim është më shumë sesa Asociacion”, thoshte ish-kryeministri, Isa Mustafa, në një intervistë në “Debat Plus”.

Edhe për ish-kryenegociatorin, Avni Arfi, vetëmenaxhimi është më i rrezikshëm sesa marrëveshjet e mëparshme.

“Normalisht, vetëmenaxhimin e shoh më të rrezikshëm sesa që ka ekzistuar, sepse përderisa në marrëveshjet e mëparshme ekzistonin disa kontura sesi mund të zhvillohej Asociacioni, ndërsa, këtu nuk ka kontura. Qeveria nuk është përgjegjëse për krijimin e Asociacionit, por e bën përgjegjëse për kualitetin e saj”, kishte deklaruar Arifi në emisionin “FIVE”.

Nga pushteti kundërshtonin këto kritika, duke theksuar se vetëmenaxhimi nuk është dhe nuk nënkupton (themelimin) e Asociacionit.

“Kjo nuk nënkupton themelimin e Asociacionit, sepse nuk dihet si do të duket, struktura të vetëmnenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues, nuk zbatojmë qëndrimet e politikanëve në Bruksel apo gjetkë jashtë Kosovës”, thoshte në prill të 2023-tës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Muaj më vonë, me plot kritika të shumta pozitë – opozitë se kush është fajtori për Asociacionin, Qeverisë së Kosovës dhe asaj serbe u prezantohet një draft-statut i Asociacionit nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë.

Pas kërkesave të shumta të faktorit ndërkombëtar se Qeveria duhet ta themelojë Asociacionin në bazë të draft-statutit të propozuar nga BE-ja, kryeministri Albin Kurti ka thënë se BE-ja dhe presidenti serb Vuçiq e kanë humbur shansin më 26 tetor në Bruksel, kur ai ishte i gatshëm ta nënshkruajë Asociacionin, ndërsa Vuçiq jo.

Për këtë draft-statut kanë shprehur shqetësimet opozita dhe njohës të çështjeve politike.

Sipas tyre, Asociacioni mund ta kërcënojë funksionalitetin e brendshëm të shtetit, ashtu siç është rasti i Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Kështu duke parë zhvillimet që solli dialogu dhe draft-statuti i Asociacionit, viti 2023 do të përmendet si viti i Asociacionit.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika