Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se 22 parti politike dhe tri koalicione janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë.
Afati për deklarimin e pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje, si dhe për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, ka përfunduar më 7 maj në orën 24:00.
Ky obligim ka vlejtur për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në mbyllje të afatit janë pranuar njoftime për pjesëmarrje nga 22 parti politike, për formimin e tri koalicioneve të përbëra nga nëntë parti politike, si dhe njoftime për mospjesëmarrje nga nëntë parti politike.
Ndër partitë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Srpska Lista, Partia Socialdemokrate (PSD).
Në anën tjetër, tri koalicionet e regjistruara deri tani janë: Koalicija VAKAT, i përbërë nga Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan; “Ashkalitë e Bashkuar”, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim; si dhe koalicioni mes Lëvizjes VETËVENDOSJE!, GUXO-s, Alternativës dhe Partisë Shqiptare Demokristiane.
Ndërkohë, nëntë parti politike kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. Mes tyre janë Aleanca Kosova e Re (AKR), Nisma Socialdemokrate, Partia e Drejtësisë dhe Balli Kombëtar i Kosovës.
KQZ ka sqaruar se procesi i njoftimit për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe regjistrimi i koalicioneve është i ndarë nga procesi i aplikimit për certifikim të subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike, përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ka nisur më 2 maj dhe do të zgjasë deri më 10 maj.
Sipas tij, partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa procesi i certifikimit vlen vetëm për subjektet e reja politike.
Elezi po ashtu ka njoftuar se dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë nga subjektet politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.