Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor që kalon nëpër zonën e Vushtrrisë.
Sipas njoftimit të policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:00 dhe në të janë përfshirë një motoçikletë dhe një veturë.
Si pasojë e lëndimeve të marra, ka ndërruar jetë drejtuesi i motoçikletës, një i ri rreth 22-vjeçar.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit.
Njësitet policore dhe hetuesit e trafikut kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë iniciuar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.