24 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës
Policia e Kosovës (PK) ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999, ndërsa tani po shënon 24-vjetorin e themelimit të saj. Misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), ishte përkujdesur që në Kosovë, në pajtim me rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ta hapë Shkollën e Policisë, ku edhe ka filluar […]
Policia e Kosovës (PK) ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999, ndërsa tani po shënon 24-vjetorin e themelimit të saj.
Misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), ishte përkujdesur që në Kosovë, në pajtim me rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ta hapë Shkollën e Policisë, ku edhe ka filluar trajnimin e kadetëve të parë.
Gjenerata e parë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kishte gjithsejtë 176 pjesëtarë, të cilët pas trajnimit i shërbyen vendit si policët e parë në territorin e Kosovës.
Ata zhvillonin patrullime të përbashkëta me policinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), të cilëve edhe u përgjigjeshin, dhe me ushtarët e NATO-s në Kosovë.
Policia e Kosovës numëron, gjithsej, pesë departamente; të operacioneve, të hetimeve, të kufijve, të shërbimeve mbështetëse dhe atë të burimeve njerëzore.
Në nivel qendror, në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike funksionojnë ndaras dy (2) drejtori, të cilat dallojnë për nga detyrat dhe orientimi i aktiviteteve policore; Drejtoria për Planifikim dhe Vlerësim Operacional dhe Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë.
Policia e Kosovës që nga themelimi është institucioni më i rëndësishëm shtetëror që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit në vend.















