Vendpunishtja në lagjen Arbana në Prizren, paraditen e së hënës u kthye në një vend ku ndodhi një ngjarje e rëndë.
Punëtori 25 vjeçar humbi jetën teksa po punonte në këtë ndërtesë, meqë mbi të ra një gyp.
“Informatat që i kemi deri më tani është se pak para orës 9:00 policia ka marr informacionin se në ambulancën e lagjes Arbana në Prizren është dërguar pa shenja jete një person mashkull është raportuar se është i moshës 26 vjecar por nga identifikimi vërehet se është rreth 25 vjec… viktima ishte punëtor dhe ishte duke punuar në objekt ndërtimi në atë lagje, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e paisjes së punës nga një pjesë e pompës së betonit dhe lëndimet kanë qenë fatal”, ka deklaruar Shaqir Bytyqi – Zëdhënës i Policisë së Kosovës, Prizren
Tashmë për këtë është ndaluar një person, që sipas policisë është personi që ishte duke e drejtuar mjetin gjatë asaj kohe.
Me kërkesë të prokurorisë i arrestuari është ndaluar për 48 orë.
“Mund të konfirmoj që një person ka humbur jetën gjatë punës, dyshohet se rasti ka ndodhur gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri i kamionit është shkëputur një gyp i cili e ka goditur viktimën i lindur në 2001. Në këtë fazë mund të konfirmoj gjithashtu se e kemi një person të ndaluar për shkak të dyshimit në kryerje të veprës penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, thuhet nga Prokuroria Themelore ne Prizren.
Sipas Jusuf Azemit, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, ky është viktima e 13, që humb jetën në vendin e punës gjatë këtij viti.
Jusuf Azemi – Kryetar i sindikatës së pavarur të sektorit privat deklaroi se
“Arsyet pse po ndodhin këto janë se në rend të parë pronarët e kompanive nuk janë në nivelin e duhur, nuk janë duke menaxhuar ose nuk janë duke respektuar ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Përpos pronarëve të kompanive, normal që institucionet shtetërore, në veçanti ministria, në veçanti Inspektorati i Punës nuk po mundet dhe nuk po mund t’ia dalë me mbikëqyrjen e të gjitha rrezikshmërive në vendet e tyre të punës, dhe ka ardhur deri tek kjo, çka fatkeqësisht viti 2025 dhe ky vit 2026, sipas të gjitha gjasave do të jetë viti më fatkeq sa i përket vdekjeve të punëtorëve në vendet e tyre të punës.”
Ditë më parë Inspektorati i qendror i Punës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për shkak të temperaturave të larta, që janë duke shënuar ditëve të fundit, duke kërkuar që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës sidomos për sektorin e ndërtimit që punojnë në ambiente të hapura.