25 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, nis “Epopeja e UÇK-së”

Këtë të diel bëhen 25 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, dhe nga sot fillon Epopeja e UÇK-së. Gjatë kësaj dite do të nisin homazhet në Prekaz, derisa në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, duke nisur nga ora 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së

Këtë të diel bëhen 25 vjet që nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës.

Sulmin e gjerë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Serbia e kishte koncentruar në Prekaz, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ngjarja e fillimit të marsit të vitit 1998 ishte e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit, duke ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 dhe 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore, e kjo kishte lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.

Më 5 mars të këtij viti bëhen 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuara nga forcat paramilitare serbe që nga viti 1991 deri më 1998. Synimi i tyre ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kishin kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar, forcat serbe kishin sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kishin rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që kishte zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kishin mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Pas këtij sulmi, familjes Jashari i kishin shkuar miq, shokë e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kishin kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërhiqnin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë” dhe kishin vendosur të qëndronin. Kishin qëndruar për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i kishte mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia kishte dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe kishte arritur t’i shpëtonte sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila kishte parë dhe përjetuar tmerrin, derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Tashmë historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Gjatë kësaj dite do të nisin homazhet në Prekaz, derisa në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, duke nisur nga ora 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së.

Kurse, të hënën do të vazhdojnë homazhet në Prekaz, pastaj Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne, e pasdite do të mbahet Akademi Përkujtimore.

Ndërsa, më 7 mars do të zhvillohet nata e zjarreve në Prekaz, si dhe një program artistik në sheshin e Skenderajt. KP

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika