25-vjetori i themelimit të policisë, Kurti flet për Banjskën
Më 6 shtator të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, hapi shkollën e Policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës. E tek 25 vjet pas, në ceremoninë qendrore të përvjetorit të themelimit u intonua për herë të parë himni i […]
Më 6 shtator të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, hapi shkollën e Policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
E tek 25 vjet pas, në ceremoninë qendrore të përvjetorit të themelimit u intonua për herë të parë himni i Policisë së Kosovës.
Aty pati edhe një marsh të zyrtarëve policorë të Kosovës.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe krerët më të lartë shtetërorë.
Presidentja Vjosa Osmani potencoi se kontributi i pjesëtarëve të policisë është kyç për mbrojtjen e integritetit dhe të sovranitetit të shtetit tonë.
“Puna juaj ka qenë e rëndësishme në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe ku të drejtat dhe liritë e secilit qytetar mbrohen. Nuk mund të flasim për Policinë e Kosovës, pa nderuar heronjtë që dhanë jetën në krye të detyrës. Në mesin e 23 policëve të rënë në detyrë, i fundit është heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku,” tha Osmani.
Epitete të larta drejt zyrtarëve policorë dha edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, por të cilit dy herë fjalën ia ndali ndërprerja e energjisë elektrike.
Por, kur problemet me energji elektrike përfunduan, kryeministri Kurti tha se policët e Kosovës nuk kursyen as jetën për të shërbyer për vendin.
“Banjska po ashtu ka risjellë në mendjet e secilit prej nesh, që pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo qoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë. Integriteti institucional e zyrtar e personal, ruan e mirëmban integritetin territorial,” tha Kurti.
Ministri i Brendshëm, që mori javën e shkuar një kritikë të madhe nga ShBA-ja për instrumentalizim po të Policisë, përmendi pikërisht partnerët ndërkombëtarë në fjalën e tij.
“Bashkëpunimi i ngushtë dhe shkëmbimi i përvojave me pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare që ndihmuan në fillet e para të policisë sonë, ashtu si edhe përkushtimi i vazhdueshëm i policëve tanë kanë bërë që sot Policia e Kosovës të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë, e ngritur profesionalisht, e trajnuar mirë dhe e gatshme për t’iu përgjigjur çdo rreziku që cenon sigurinë e vendit tonë,” deklaroi Xhelal Sveçla.
E Drejtori i përgjithshëm i Policisë tha se institucion ka për qëllim të mbrojë shtetin e Kosovës.
“Në këto 25 vite Policia e Kosovës ka dëshmuar se është një institucion i ndërtuar mbi themele të forta, me një mision fisnik, të mbrojë dhe të shërbejë. Që nga ditët e para të themelimit, ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë gardiane e rendit, ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, duke kontribuuar në stabilitetin dhe sigurinë e vendit tone,” deklaroi, Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës
Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje për institucionet e tjera të vendit me të cilat ka bashkëpunim policia, kurse për shkak të kohës nuk u ndanë medaljet e fituara nga policët në garat që janë mbajtur për nder të 25- vjetorit.















