26 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Qirezit

Sot bëhen 26 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku u zhvilluan luftimet mes UÇK-së dhe forcave kriminale serbe

Sot bëhen 26 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.

Në rrethimin e fshatrave, armiku përdori artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke.

Qysh në ditën e parë të luftimeve, armiku kreu masakrat ndaj civilëve, vetëm në familjen Ahmeti vrau 11 persona.

Pas pak ditësh, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe rrethuan familjen e komandantit Legjendar të UÇK-së, ku familja Jashari rezistoi për 3 ditë dhe 3 net në luftimet kundër armikut.

Me luftën e Prekazit, tani më çdo gjë ishte e qartë, në Kosovë lufta për liri nuk do të kishte më të ndalur.

Gjatë luftimeve deri në çlirimin e vendit, rreth 1 milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova, 15.000 u vranë, 2.400 prej tyre ranë dëshmorë. Armiku kreu shumë masakra, si atë në Abri, Reçak, Meje, e shumë e shumë të tjera.

Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5.000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende nuk dihet për fatin e mbi njëmijë shqiptarëve të zhdukur.

Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare. Gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rëndë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.

Kjo luftë që filloi nga 28 shkurt 1998 e deri më 23 mars 1999 u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Ndërsa, nga 24 mars 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veriatlantike NATO me bombardime të përditshme mbi caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së, detyroi forcat serbe dhe diktatorin famëkeq Sllobodan Millosheviqin të nënshkruajë kapitullimin në Kumanovë. /KP

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika