Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 26-vjetorin e çlirimit të vendit duke lavdëruar rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe trupave të NATO-s në fitoren mbi shtypjen dhe dhunën.

Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar se më 12 qershor 1999, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa, kur 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në Kosovë dhe ndihmuan në çlirimin e një populli që kishte vuajtur për shekuj.

Ajo ka thënë se mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.

“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka shtuar se, pavarësisht përpjekjeve të armiqve për ta shtrembëruar historinë, ajo nuk mund të fshihet, sepse është shkruar me gjak.

“Një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps”, ka thënë ajo, duke theksuar se Kosova e lirë dhe e pavarur do të jetë përjetësisht falë sakrificës së dëshmorëve.