26 vjet pas masakrës së Studimes s’ka drejtësi për 116 shqiptarët e vrarë
Pos familjarëve të 116 martirëve civilë shqiptarë, 26-vjetori i Maskrës së Studimes, i bëri bashkë në një vend edhe përfaqësuesit politikë. Në akademinë përkujtimore, të organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, foli për planin e spastrimit etnik të Serbisë, por edhe për mungesën e drejtësisë. “… Jemi dëshmi e gjallë e […]
Pos familjarëve të 116 martirëve civilë shqiptarë, 26-vjetori i Maskrës së Studimes, i bëri bashkë në një vend edhe përfaqësuesit politikë.
Në akademinë përkujtimore, të organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, foli për planin e spastrimit etnik të Serbisë, por edhe për mungesën e drejtësisë.
“… Jemi dëshmi e gjallë e forcës së popullit tonë, u jemi mirënjohës juve që e mbani kështu gjallë kujtesën e luftës…Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen, nuk falen. Vetëm me drejtësi për viktimat dhe dënim për kriminelët, familjarët do të gjejnë prehje dhe paqja do të jetë e qëndrueshme”, ka thënë Albin Kurti – Kryeministër në detyrë.

I pranishëm ishte edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj bashkë me gjeneralin Rrahman Rama, i cili ishte ndër të parët, që sipas të mbijetuarve erdhi në Studime dhe i priu procesit të varrimit.
“Edhe unë i bashkohem respektit për të rënët për liri për martirët e Studimes, të të gjitha moshave, solidarizohem me dhimbjen dhe krenarinë tuaj. I paharruar kujtimi për rënët për liri këtu në Studime dhe gjithë vendin”, ka thënë Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK-së.

Edhe nikoqiri e mori fjalën.
“Masakra e 2 majit ka lënë gjurmë të mëdha të pashlyeshme që nga ajo ditë nuk u ndëshkuan kriminelët që e bënë këtë. Sot kujtojmë më dhimbje, ndajmë dhimbjet me familjet…por pa këtë ditë nuk do të ishte as kjo ditë me diell e as kjo liri që e gëzojmë sot…”, ka thënë Ferit Idrizi – Kryetar i Vushtrrisë.

E në emër të familjarëve foli Sokol Xhafa, i cili përfaqësuesve politikë iu bëri thirrje për unitet e jo përçarje.
Për ekzekutimin e 116 civilëve shqiptarë, as 26 vjet pas masakrës, askush nga forcat ushtarake e policore serbe nuk është dënuar me burgim.















