Sot (e premte) shënohet 28 vjetori i rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Më 31 janar të vitit 1997 në një prit të organizuar u ndeshën pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike serbe në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.
Tre strategët e UÇK-së, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha bien heroikisht në luftime me forcat serbe derisa ishin duke udhëtuar nga Prishtina drejtë Vushtrrisë.
Prita ndaj tyre ishte ngritur pasi që ishte zbuluar aktiviteti dhe grupi i tyre.
Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve ’90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët e tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë.
Komuna e Podujevës sot organizon homazhe në 28 vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Do të bëhen homazhe në “Kompleksin Memorial Zahir Pajaziti” në Orllan, në Lladoc “Kompleksin Baza e Parë e UÇK-së”, Kompleksin Memorial i Dëshmorëve në Penuhë, tek Shtatoret e “Katër Dëshmorëve” në shesh.
Po ashtu 1 shkurt, nga ora 12:00, mbahet turneu Memorial “Zahir Pajaziti” në futboll në Palestrën “Hakif Zejnullahu”.
Gjithashtu, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot do të ndaj mirënjohje për familjet Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha për kontributin e dhënë në çlirimin e vendit.