Zhurma e ekskavatorit që u dëgjua për më shumë se tre javë sot nuk gumëzhiu.
As njësitet policore, që siguruan këtë lokacion në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut ku u gërmua nën dyshimet për varrezë masive nuk qenë prezente të enjten.
“Gërmimet në Kalludër të Vogël ku dyshohet për varrezë masive të 23 civilëve shqiptarë kanë përfunduar pas 23 ditësh”
Në këtë lokacion, gërmimet përfunduan disa ditë më parë, ndërkohë ekipet përfshirë edhe ato të Institutit të Mjekësisë Ligjore që po bëjnë ekshumimin e mbetjeve mortore tash janë zhvendosur rreth 900 metra tutje, në Kalludër.
Edhe këtu, që terreni ishte vështirë i kalueshëm, u gjetën kocka që dyshohet se ndërlidhen me grupin e intelektualëve që u zhdukën në vitin 1999.
Për të tre lokacionet që u gërmuan që nga 28 korriku detaje dha Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Ku janë identifikuar 13 trupa të cilët pastaj janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pastaj është lokacioni numër dy që njihet si Jabuka edhe aty janë gjetur katër kufoma të cilët janë dërguar në IML, aktualisht është duke u punuar në lokacionin e tretë në varrezën masive numër tre, ku janë identifikuar gjashtë trupa prej tyre tre janë dërguar dhe tre janë në zhvarrim e sipër”, ka thënë Limani.
Limani tregon edhe nëse ka lokacione tjera të dyshuara për varrezë masive në Veri të Kosovës.
“Akutalisht nuk kemi informacione në një farë mënyrë po përmbushet numri 23 i mbetjeve mortore e që dyshohet se i përkasin personave të zhdukur apo si është i njoftuar opinioni “Grupi i Intelektualve të Mitrovicës” që është prej 23 personave”, ka shtuar Limani.
Pikërisht për këtë rast janë arrestuar edhe tre serb të dyshuar të cilët tashmë janë në paraburgim.
Ndërkohë gërmimet edhe në këtë lokacion pritet të përfundojnë më së largu deri të premten, pastaj mostrat do të dërgohen për analiza.
