3 raste të dhunës në familje në 24-orët e fundit në Kosovë
Tre raste të dhunës në familje janë raportuar përgjatë 24-orëve të fundit, në Policinë e Kosovës, përkatësisht në Suharekë, Klinë dhe Malishevë. Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës bën të ditur se në Suharekë, viktima ka pranuar tretman mjekësor pasi dyshohet se është rrahur nga bashkëshorti i saj. “Suharekë 28.12.2022 – 12:38. Është arrestuar i […]
Tre raste të dhunës në familje janë raportuar përgjatë 24-orëve të fundit, në Policinë e Kosovës, përkatësisht në Suharekë, Klinë dhe Malishevë.
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës bën të ditur se në Suharekë, viktima ka pranuar tretman mjekësor pasi dyshohet se është rrahur nga bashkëshorti i saj.
“Suharekë 28.12.2022 – 12:38. Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, për shkak se dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndërkaq, në orët e hershme të mëngjesit, një rast i po kësaj natyre, është shënuar edhe në Klinë.
“Klinë 28.12.2022 – 01:40. Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, për shkak se dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj, viktimës, femër kosovare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Për dallim nga dy rastet e lartcekura, në Malishevë është arrestuar një grua nën dyshimin se ajo kishte sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj.
“Malishevë 28.12.2022 – 09:20. Është arrestuar e dyshuara, femër kosovare, për shkak se kishte sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj, viktimën, mashkull kosovar. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësore, ndërsa e dyshuara pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raport.
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës bën të ditur se një rast i dhunës është shënuar edhe më 26 dhjetor në Ferizaj, me ç’rast është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
“Ferizaj 26.12.2022 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës, femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” thuhet tutje në raport.















