Dy personave të cilët dyshohen se i kanë sulmuar trupat e KFOR-it në Zveçan, u është caktuar nga 30 ditë paraburgim.

Gjykata Themelore e Prishtinës, departamenti special, e ka vendosur këtë masë duke aprovuar kështu kërkesën e Prokurorisë Speciale.

RTV Dukagjini e ka siguruar vendimin e Gjykatës, ku bëhet i ditur vendimi për paraburgim.

Të dyshuarit për sulm kanë qëndruar në stacionin policor të Mitrovicës.

Gjatë ditës së djeshme, në protestën në Zveçan, përfaqësuesit e listës serbe kanë dhënë ultimatum dhe kanë kërkuar që të njëjtit të lirohen.

Nga sulmet në veri të vendit ishin lënduar rreth 30 ushtarë të KFOR-it. Ata u sulmuan me shufra hekuri, koktej molotovi dhe gurë.

Përpos ushtarëve të KFOR-it, protestuesit serbë vazhdimisht i kanë sulmuar edhe policinë e Kosovës dhe gazetarët. Protestuesit kanë përdorur simbole të pushtimit rus në Ukrainë.

Policia e Kosovës ka publikuar të mërkurën e 31 majit një njoftim ku thuhet se ka ndaluar dy shtetas të Serbisë, të cilët ishin duke bartur disa mjete të ndaluara, si: thika, maska, shufra të metalit dhe materiale propagandistike.

Veteranë serbë nga Beogradi janë futur në Leposaviq

Sipas burimeve të RTV Dukagjinit, dy personat e arrestuar kanë lidhje me “Brigaden 72”, ndërsa disa të tjerë kanë arritur të depërtojnë në territorin e Leposaviqit.
Fotografi ne Facebook njeri nga të arrestuarit pretendohet të ketë qenë në shërbim në betejën e Koshares

Dy serbët janë burgosur nga policia, ndërsa të dhënat nga hetimet tregojnë se këta personat kanë lidhje me “Brigadën 72”, e cila është brigadë ushtarake, e destinuar për operacione të veçanta, sabotim dhe kundërsabotim, kryengritje dhe zbulim si dhe kundërterrorizëm në ushtrinë e Serbisë.

Dy personat e arrestuar janë Ivan Sekuliq nga Beogradi dhe pasagjeri Sinisa Jevtiq nga Krushevaci i Serbisë.