Një incident i rëndë pranë një pike të shpërndarjes së ndihmave në Rafah ka shkaktuar dhjetëra viktima dhe të plagosur.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), njoftoi se spitali i tyre fushor në Rafah priti 179 të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë, të dielën në mëngjes.

Nga këta, 21 persona u shpallën të vdekur pas mbërritjes, ndërsa shumica kishin plagë nga armë zjarri ose shrapnel.

Agjencia e mbrojtjes civile e udhëhequr nga Hamasi raportoi 31 të vdekur, duke akuzuar forcat izraelite për të shtënat mbi civilët që po kërkonin ndihma.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) mohuan akuzat dhe publikuan pamje droni që, sipas tyre, tregojnë burra të armatosur që qëllojnë drejt civilëve.

Ata thanë se një hetim paraprak tregon se nuk është qëlluar nga ushtarët izraelitë në drejtim të turmës pranë qendrës së ndihmës.

Ndërkohë, Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), që menaxhon qendrën e ndihmave dhe mbështetet nga SHBA dhe Izraeli, mohoi se në zonën e tyre ka pasur të vrarë apo të plagosur, duke thënë se akuzat janë përhapur nga Hamasi.

Mjekë nga spitali Nasser në Khan Younis thanë për BBC se kishin pranuar rreth 200 persona me lëndime, ndërsa Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze raportoi për një incident tjetër me 14 të plagosur në Korridorin Netzarim.

Pamje të publikuara nga gazetarë dhe aktivistë vendas tregojnë trupa të pajetë dhe të plagosur që transportoheshin me mjete të improvizuara drejt spitaleve.

Sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, numri total i të plagosurve ka kaluar 200, ndërsa 31 persona janë konfirmuar të vdekur.

Incidenti ndodhi në një kohë kur situata humanitare në Rafah është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite dhe kufizimit të aksesit në ndihma emergjente.

Lufta në Gaza shpërtheu pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona në Izrael dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Nga ana tjetër, deri tani, mbi 54,000 persona janë vrarë në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të territorit./BBC