34 vjet nga rezistenca e dëshmorëve, Fahri Fazliu e Afrim Zhitia
Me një lule nuk çelë pranvera, por të paktën paralajmëron se i ftohti i dimrit po shkon. Është thënie kjo që përshkruan më së miri 2 nëntorin e 1989-s, ditë që paralajmëronte rezistencën e cila më vonë do të mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atë ditë, policia serbe vendosi rrethim të hekurt në […]
Me një lule nuk çelë pranvera, por të paktën paralajmëron se i ftohti i dimrit po shkon.
Është thënie kjo që përshkruan më së miri 2 nëntorin e 1989-s, ditë që paralajmëronte rezistencën e cila më vonë do të mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Atë ditë, policia serbe vendosi rrethim të hekurt në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Në bllokun numër 3, në një bodrum në hyrjen po ashtu me numër 3, po prisnin t’ia krisin pushkës, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
Pjesëmarrësit e demonstratave të 81-shit, organizatorët e demonstratës së 89-ës, veprimtarët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, nuk u dorëzuan të gjallë.
Nga mesdita e deri rreth orës 18, për gjashtë orë nuk u zmbrapsën.
Rezistencën e zhvilluan edhe në oborret përreth ndërtesës, betejë që e kujton shumë mirë Fadil Fazliu, vëllai i Fahriut.
“Më kujtohet si sot rrethimi i banesës në Kodrën e Diellit i cili hap pas hapi e ndjek Fahriun. Janë taku së bashku me Afrimin në Velani kanë ardhur bashkë në banesë dhe e kanë vazhduar betejën një kohë të gjatë”, tha ai.
Në këtë banesë konakun shumë herë e kishte gjetur bashkëveprimtari i tyre, Xhafer Gashi, më vonë ushtar i UÇK-së.
“…falë gjakut falë përkushtimit të tyre ne sot po e gëzojmë lirinë, duke e nderuar të kaluarën besoj që do ta ndërtojmë të ardhmen”, tha Gashi.
Vendin ku ranë dy heronjtë në çdo përvjetor e viziton edhe motra e Afrim Zhitisë.
“Është kënaqësi që këta djem të ri e këto vajza të reja dhe krejt ky popull po e vlerësoj sakrificën e atyre që e kanë shku për me pas një jetë të mirë sot”, tha Sadete Zhitia.
Në 34-vjetorin e rënies, krerët e shtetit bënë homazhe edhe në varrezat e heronjve në varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës.
“Edhe para Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ne kemi pasur çlirimtar edhe para dëshmorëve të luftës së fundit ne kemi pasur dëshmorë të Kombit të cilët kanë qenë para-vajtës të qershorit të vitit 1999”, tha kryeministri Albin Kurti.
“Ata e dhanë porosinë dhe shembullin me të vlefshëm se okupatori serb nuk largohet nga Kosova pa i kapur populli armët në dorë”, tha Glauk Konjufca.
Në varrezat e dëshmorëve ku prehen Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, për nderime e homazhe gjatë ditës kanë qëndruar edhe krerë dhe përfaqësues të partive opozitare.















