Edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, krimet e Kosovës nuk harrohen dhe drejtësia ende kërkohet. Viti 2025 solli hetime dhe aktakuza të reja, duke rikthyer plagët e hapura të së kaluarës dhe kërkesën e pareshtur për drejtësi për mijëra viktima.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sipas të dhënave të siguruara nga Dukagjini, deri më 1 dhjetor 2025 ka ngritur gjithsej 11 aktakuza për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në kuadër të këtyre aktakuzave, janë akuzuar 36 persona, prej të cilëve 33 në mungesë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur tetë kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj 10 personave.

Po ashtu, më 18 dhjetor 2025, Prokuroria Speciale ngriti gjithashtu aktakuzë ndaj Ramadan Morinës, nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare, janë dhënë tre aktgjykime dënuese ndaj tre personave për krime lufte.

Po ashtu, më 26 dhjetor 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Sllagjan Trajkoviqin me 10 vjet burgim për krime lufte të kryera në komunën e Vushtrrisë gjatë viteve 1998–1999. Ai u dënua vetëm për një pikë të aktakuzës, ndërsa për tri të tjera trupi gjykues konstatoi se nuk ishte vërtetuar përgjegjësia e tij.

Sipas vendimit, do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Prokuroria Speciale e Kosovës ka mirëpritur dënimin dhe ka deklaruar se mbetet e përkushtuar për ndjekjen penale të krimeve të luftës, “për sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Aktakuza ndaj Trajkoviqit ishte ngritur më 12 korrik 2023, pas arrestimit të tij më 15 dhjetor 2022.

Krahasimi me vitet paraprake

Në vitin 2024, Prokuroria ngriti 13 aktakuza ndaj 24 personave, prej të cilëve 11 persona u akuzuan në mungesë.

Në vitin 2023, u ngritën 15 aktakuza ndaj 68 personave, ku 61 prej tyre u akuzuan në mungesë.

Vetëm në korrik të atij viti, Prokuroria ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave, të dyshuar për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Gjykimet në mungesë janë bërë të mundura pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës në vitin 2022. Megjithatë, ligji përcakton se një proces i tillë mund të zhvillohet vetëm pasi autoritetet të kenë shteruar të gjitha mjetet ligjore për sigurimin e pranisë së të akuzuarit.

Po ashtu, personat e gjykuar në mungesë gëzojnë të drejtën për rigjykim pa kushte, në rast se arrestohen apo paraqiten para autoriteteve të drejtësisë.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999, mbi 13 mijë civilë u vranë, ndërsa më shumë se 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. Qindra trupa të civilëve shqiptarë u gjetën në varreza masive në territorin e Serbisë, pasi ishin zhvendosur me qëllim të fshehjes së krimeve.

Për këto krime, disa nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Ndër ta ishte edhe ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në paraburgim pa u shpallur fajtor me aktgjykim përfundimtar.