Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar një takim me deputetin gjerman Thomas Hacker, raportues për Kosovën në Bundestag.

Krasniqi përmes një postimi në " title="">Facebook ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërpartiak mes PDK-së dhe Partisë Liberale Gjermane (FDP).

Lideri i PDK-së ka treguar se një pjesë e bashkëpunimit përfshin edhe aktivitetet e përbashkëta me Fondacionin Friedrich Naumann (FNF).

Krasniqi dhe Hacker gjatë ditës morën pjesë në hapjen e seminarit të organizuar nga FNF me temën “Lidershipi dhe Qeverisja Liberale: Perspektivat për Kosovën”.

Gjatë këtij seminari, u diskutua rëndësia e liberalizmit në politikë, duke u theksuar nevoja për një politikë të bazuar në ide dhe vlera që përballen me sfidat e kohës. Krasniqi vlerësoi bashkëpunimin me FDP-në gjermane, duke theksuar rëndësinë e vlerave liberal-demokratike për të ardhmen e Kosovës, si një kundërpeshë ndaj populizmit dhe si bazë për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Kjo vizitë dhe diskutim përbashkët thekson partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, sidomos në aspektin politik dhe zhvillimor.