As tentativa e 47-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk solli zgjidhje. Seanca e mbajtur të martën, më 15 korrik, ka dështuar sërish.

Deputetët nuk arritën të formojnë as Komisionin për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit, proces ky që po kundërshtohet nga ish-opozita, përkatësisht nga PDK, LDK dhe AAK.

Partitë tentuan të flasin, deputeti si kryesues nga LVV-ja Avni Dehari, kërkoi nga regjia t’ua ndalë fjalën, u hodh në votim komisioni për votim të fshehtë dhe si përfundim dështoi.

Time Kadrijaj nga AAK-ja tha me ironi se Aleanca e propozon “nomadin” Albin Kurti si anëtar për komisionin e fshehtë.

“Seanca e radhës do të mbahet pas 48 orësh, përkatësisht të enjten në orën 11”.

PDK, LDK dhe AAK e kanë cilësuar të papranueshëm mënyrën se si po tenton të imponohet kandidatura e Vetëvendosjes për kryeparlamentare – Albulena Haxhiu.

Megjithëse LVV ka insistuar disa herë në kandidaturën e saj, ajo nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për ta kaluar atë në Kuvend.

Opozita ka kërkuar hapur që emri i kandidatit të ndërrohet, nëse dëshirohet një zgjidhje institucionale.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se Kuvendi ka afat prej një muaji për t’u konstituar – përkatësisht për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Me dështimin e sotëm, afati po shkon drejt fundit pasi kanë mbetur edhe 11 ditë.