48 armë të ftohta e 8 automatike, u gjenden nxënësve në gjithë Kosovën
Përshtypja e parë që e merr nga kjo pamje duket sikur është koleksion i armëve. Por, të gjitha këto armë janë gjetur në ose afër shkollave të Ferizajt gjatë një aksioni të Policisë i nisur në shkurt të 2022-s. Ndërkaq, këto nuk janë të vetmet armë që Policia e Kosovës ka gjetur në shkollat e […]
Përshtypja e parë që e merr nga kjo pamje duket sikur është koleksion i armëve.

Por, të gjitha këto armë janë gjetur në ose afër shkollave të Ferizajt gjatë një aksioni të Policisë i nisur në shkurt të 2022-s.
Ndërkaq, këto nuk janë të vetmet armë që Policia e Kosovës ka gjetur në shkollat e Kosovës.
Institucioni i sigurisë ka treguar për televizionin të gjitha rastet që janë iniciuar në një periudhë 5 mujore.
“Për periudhën kohore Janar-Maj 2022, te ndodhura kryesisht përrreth shkollave pasi në afërsi të shkollave ka lokacione që janë rrugët afër dhe lokale te ndryshme si dhe disa prej tyre në shkolla”, bëhet e ditur nga Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar se janë gjithsej, 66 raste-lëndim i lehtë trupor, 48 raste-posedim i armës së ftohtë, 29-raste –Dëmtim prone, 8 raste-posedim i armës së zjarrit.
E prindërit janë të shqetësuar për këtë gjendje. Sipas tyre, barra më e madhe bie mbi familjet.
“Kjo është katastrofë për prindërit, duhet me u kontrollu fëmija me kë po rrinë, me kë po del. Kjo është përgjegjësi e prindërve. Ata duhet të kujdesen për fëmijët e tyre”, ka thënë Mejreme Bajrami, prind.
“Ma merr mendja që kjo është shumë keq dhe për këtë duhet të kujdeset se pari prindi e pastaj përgjegjësit që janë nëpër shkolla”, ka thënë Shefki Selmani, prind .
Rrjeteve sociale dhe trekëndëshit shoqëror po ia hedh fajin edhe drejtori i shkollës së Gjelbër në Prishtinë.
“Unë mendoj që edhe shkollat duhet të kenë kujdes që të marr masa adekuate por është ai trekëndëshi, prind, shkollë, nxënës dhe rrjete sociale”, ka thënë Besart Ismajli, nga “Shkolla e Gjelbër”.
Për këtë çështje ka folur edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se janë duke punuar që të sigurohen ambiente më të sigurta për nxënësit kosovarë por pa dhënë detaje se si do ta bëjnë këtë.















