Një 49-vjeçar ka humbur jetën të hënën në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar rastin.
“Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën se një person ka rënë nga një lartësi (objekt) në lagjen Veternik në Prishtinë, derisa ishte duke punuar”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, viktima, mashkull 49-vjeçar, nuk ka arritur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Policia, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.