Situata në Iran mbetet kritike pas sulmeve ajrore të Izraelit të nisura më 13 qershor, televizioni shtetëror iranian raporton se rreth 500 persona janë vrarë dhe mbi 3,000 janë plagosur, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë së vendit.

Për shkak të kufizimeve strikte nga autoritetet iraniane, gazetarët e BBC-së nuk mund të raportojnë drejtpërdrejt nga brenda vendit, duke e bërë të vështirë verifikimin e pavarur të shifrave.

Ndërkohë, një organizatë për të drejtat e njeriut, “Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran”, e vlerëson se numri i viktimave është pothuajse dyfish më i lartë.

Fluturimet shmangin Iranin – ndërprerje dhe anulime në rajon

Për shkak të përshkallëzimit të konfliktit, shumë kompani ajrore ndërkombëtare po shmangin hapësirën ajrore të Iranit, Irakut, Sirisë, Jordanisë dhe Libanit.

Aeroportet në rajon kanë paralajmëruar për ndërprerje të mundshme, megjithëse shumica e fluturimeve duket se po operojnë normalisht që nga mëngjesi i së hënës.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait janë regjistruar mbi 120 fluturime të vonuara, ndërsa disa janë anuluar. Situata është më e rënduar në Aeroportin Queen Alia të Jordanisë, ku mbi 40% e fluturimeve janë anuluar.

United Airlines ka pezulluar fluturimet për në Dubai deri më 3 korrik, dhe për në Tel Aviv deri më 1 gusht.

British Airways, gjithashtu, pezulloi fluturimet për në Dubai dhe Doha gjatë fundjavës, por në një përditësim të fundit, kompania njoftoi se fluturimet janë planifikuar të rifillojnë normalisht, ndërsa situata vazhdon të monitorohet nga afër.

Ndërprerje të energjisë në Teheran pas sulmeve

Banorët e disa lagjeve në Teheranin verior kanë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike pas goditjeve ajrore.

Kompania shtetërore iraniane e energjisë elektrike, Tavanir, ka konfirmuar ndërprerjen në dy zona të kryeqytetit dhe ka bërë të ditur se “po punohet për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit”./BBC