Dështon seanca konstituive, deputetët po presin kushtetuesën
E njëjta situatë, i njëjti përfundim. Asgjë e re në tentimin e 26-të për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, veçse vazhdimi këtë herë u caktua menjëherë një ditë pas. Brenda 24 orësh deputetët u pajtuan të mblidhen për shkak se të premten është festa e Kurban Bajramit. Gjithsesi, partitë politike vazhduan me të […]
E njëjta situatë, i njëjti përfundim.
Asgjë e re në tentimin e 26-të për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, veçse vazhdimi këtë herë u caktua menjëherë një ditë pas.
Brenda 24 orësh deputetët u pajtuan të mblidhen për shkak se të premten është festa e Kurban Bajramit.
Gjithsesi, partitë politike vazhduan me të njëjtin avaz të faksimit të njëra-tjetrës për situatën e krijuar.
Para mediave si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje doli deputeti, Dimal Basha i cili tha se ata që votuan “Zajednicën” nuk po e votojnë Albulena Haxhiun.
“Qytetarët e dinë që Kuvendi ka pasur bllokada në të kaluarën, por ka pas një kauzë mbrapa. Ne e kemi blloku duke pa me nal Gjykatën Speciale, duke kqyr me nal Zajednicën. Kta e kan blloku për Albulenën”, ka thënë Dimal Basha – LVV.
Përgjigje të menjëhershme për këtë morri nga AAK-ja.
“Nuk e di për çfarë kauzash po flet deputeti, po flet për Zajednicën të cilën këta e kanë pranuar që është nënshkruar, e kanë pranuar publikisht dhe dihet, kanë bërë koncesione me tokat e Manastirit të Deçanit”, ka thënë Time Kadriaj – AAK.
E nga PDK po konsiderojnë që kjo gjendje e krijuar është për shkak të kokëfortësisë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot dështuam sërish të konstituojmë institucionet, vendi është në krizë, ekonomia është në krizë, është momenti të mendojmë për qytetarin më shumë se për vetë vetën”, ka thënë Vlora Çitaku – PDK.
Hykmete Bajrami nga LDK përmendi çështjet me rëndësi që e presin vendin e rëndësinë e formimit sa më të shpejt të institucioneve.
“Ngritja e faturave të energjisë elektrike, vala e re einflacionit, tash siç e dini për shkak të përjashtimit nga tregu i rregulluem i energjisë kemi fabrika të cilat po mbyllen dhe po ju thonë punëtorëve që të mos dalin në punë. Janë të gjitha këto probleme me të cilat ata po ballafaqohen ndërkohë që ka një parti e cila në kuvend i ka 48 deputet dhe nuk po arrinë që faktikisht ti konstituoj institucionet”, ka thënë Hykmete Bajrami – LDK.
Sot është bërë hera e 18-të që ka dështuar edhe propozimi i Kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari që të kalohet në votim të fshehtë për kryekuvendaren e propozuar nga LVV-ja.















