Rrahje në Ferizaj me thikë, karrige dhe armë zjarri – arrestohen katër persona
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e katër personave në Ferizaj, të cilët janë përfshirë në një përleshje fizike në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40 në një restorant në rrugën “Wesley Clark”, ku pas një mosmarrëveshjeje verbale, situata ka eskaluar në dhunë me grushte, karrige […]
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e katër personave në Ferizaj, të cilët janë përfshirë në një përleshje fizike në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40 në një restorant në rrugën “Wesley Clark”, ku pas një mosmarrëveshjeje verbale, situata ka eskaluar në dhunë me grushte, karrige dhe mjete të rrezikshme.
Sipas Policisë, gjatë përleshjes njëri nga të dyshuarit ka nxjerrë një armë zjarri nga brezi, ndërsa është përdorur edhe një thikë.
Njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shoqëruar të dyshuarit në stacionin policor, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri me 14 fishekë dhe një thikë e përdorur gjatë incidentit.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë. Ndaj tyre është iniciuar rast penal për “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.
Të arrestuarit janë:
- A.I. (M/K), 48 vjeç
- B.A. (M/K), 45 vjeç
- F.S. (M/K), 28 vjeç
- A.I. (M/K), 27 vjeç
Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar.















