541 mijë tiketa në 8 muaj, por aksidentet fatale rriten – shifrat e Policisë

Numri i përgjithshëm i aksidenteve në trafikun rrugor në Kosovë ka shënuar rënie gjatë periudhës janar-gusht 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës për Portalin Dukagjini, gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 16 mijë e 416 aksidente, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2026 janë regjistruar 15 mijë e 213 aksidente.

Kjo paraqet një rënie prej 1 mijë e 203 aksidenteve, apo 7.33 për qind.

Megjithatë, përkundër rënies së numrit të përgjithshëm të aksidenteve, aksidentet me fatalitet kanë shënuar rritje.

Nga janari deri në gusht të vitit 2025 ishin regjistruar 68 aksidente fatale, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2026 janë regjistruar 72. Pra, janë regjistruar katër aksidente fatale më shumë, që paraqet rritje prej 5.88 për qind.

Numri i personave të vdekur ka mbetur i njëjtë në të dyja periudhat. Në janar-gusht 2025 dhe janar-gusht 2026 janë regjistruar nga 77 persona të vdekur.

Ndërkohë, janë rritur aksidentet me lëndime. Në tetë muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar 5 mijë e 927 aksidente me lëndime, ndërsa në vitin 2026 janë regjistruar 6 mijë e 18, apo 91 aksidente më shumë. Kjo paraqet rritje prej 1.54 për qind.

Në anën tjetër, numri i personave të lënduar ka rënë. Nga 11 mijë e 393 persona të lënduar sa ishin regjistruar në janar-gusht 2025, numri ka rënë në 11 mijë e 110 gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2026. Kjo është një rënie prej 283 personash, apo 2.48 për qind.

Rënie e theksuar është shënuar edhe te aksidentet me dëme materiale. Në janar-gusht 2025 ishin regjistruar 10 mijë e 421 raste të tilla, ndërsa në tetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 9 mijë e 122, apo 1 mijë e 299 më pak. Përqindja e rënies është 12.47 për qind.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës ka shqiptuar dukshëm më shumë tiketa në trafik.

Në periudhën janar-gusht 2025 janë shqiptuar 520 mijë e 153 tiketa, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2026 janë shqiptuar 541 mijë e 742 tiketa.

Pra, këtë vit janë shqiptuar 21 mijë e 589 tiketa më shumë, që paraqet rritje prej 4.15 për qind.

Të dhënat e Policisë tregojnë kështu një tablo të përzier: numri i përgjithshëm i aksidenteve ka rënë për 7.33 për qind, por aksidentet fatale janë rritur për 5.88 për qind, ndërsa numri i personave të vdekur ka mbetur i pandryshuar në 77.

Të fundit nga rubrika