6 ditë e gjysmë fushatë – KQZ tregon si duhet të zhvillohet fushata zgjedhore e balotazhit

Duke filluar nga data 3 nëntor dhe deri në hapjen e vedvotimeve, të dielën e 9 nëntorit, në orën 07:00, subjektet politike dhe kandidatët do të zhvillojnë fushatën zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Fushata zgjedhore dhe gara e balotazhit, do të zhvillohet nën një situatë krize politike, pas dështimit të mandatarit, Albin Kurti, për të formuar Qeverinë e re dhe nën ethet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që mund të mbahen në muajin tjetër, në dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për EkonomaOnline për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore.

“Gjatë periudhës prej më shumë se gjashtë ditësh, nga 3 deri në momentin e hapjes së Qendrave të Votimit, më 9 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata përfundon me hapjen e Qendrave të Votimit në ditën e zgjedhjeve. Kështu, njësoj si në zgjedhjet e mbajtura në më 12 tetor, dita e shtunë nuk është ditë heshtjeje zgjedhore”, tha Elezi.

Elezi ka përmendur një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi.

Gjatë fushatës zgjedhore, KQZ do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme të cilët do të përcjellin organizimin e takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve tjera promovuese. Monitoruesit do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike, të cilat do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës, të cilin e dorëzojnë subjektet politike.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave pritet të mbahet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot./EO

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika