Ky objekt i vjetër në qendër të Mitrovicës dyshohet të jetë vendi i krimit. Policia thotë se këtu është kryer vrasja.

Të martën rreth orës 14:30, Nysret Gubetini, është gjetur pa shenja jete në objektin prapa meje, në shoqatën e shurdhë-memecëve në Mitrovicë. Sipas Policisë, 65-vjeçari dyshohet se është goditur me një mjet të fortë.

Vdekjen e dhunshme e ka konstatuar edhe Prokuroria, të cilët kanë shpjeguar si dyshohet që u krye vrasja.

“… një person është gjetur i vrarë brenda Shoqatës së të Shurdhërve në Mitrovicë. Viktima ka qenë anëtar i kësaj shoqate, vrasja është e dhunshme dhe sipas ekspertit mjeko ligjor që ka dalur në vend ngjarje, dyshohet se ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Deri më tani për “vrasje”, Prokuroria nuk ka identifikuar asnjë të dyshuar. Trupi i pajetë i është dorëzuar familjes për varrim por jo edhe raporti i autopsisë.

Vëllai, Mehmeti thotë se është tronditur nga tragjedia familjare, por edhe nga gjendja që e kanë gjetur vëllain.

“Unë nuk e kam parë e kam parë veç (lëndimin) në kokë, por tjetër nuk kam mujt me e përballu me e pa, në vende tjera. Por edhe në vende të tjera ka (plagë)”, ka deklaruar Mehmet Gubetini, vëllai i viktimës.

Vdekja e Nysretit i ka tronditur edhe banorët e lagjes ku e kalonte më shumë kohën. Ata që e kanë njohur personalisht e përshkruajnë si njeri të qetë e të sjellshëm.

“Një njeri shurdhë-memec me qenë aq i ndershëm i kulturum, pak kam pa në jetën time. Fantastike ka qenë sjellja, nuk di me përshkrua të më mirë. Kurrë në jetë prej që i njoh tre vëllezërit kurrë këta nuk kanë pasur probleme”, ka thënë Basri Baruti, qytetar.

Objekti në të cilin dyshohet se është kryer vrasja gjatë ditës ka qenë i mbyllur. Aty nuk ka qenë asnjë punonjës, përpos Policisë së Kosovës të cilët janë parë përreth zonës duke kontaktuar me banorët.