7 momentet kyçe në fjalimin e aneksimit të Putinit

Në një fjalim zemërimi të premten, presidenti rus, Vladimir Putin, ka folur për justifikimin e Kremlinit ndaj aneksimit të katër territoreve ukrainase nga Rusia. Ky fjalim ka përmbajtur edhe 7 pikat kyçe, duke filluar nga heqja dorë e territoreve të aneksuara deri te citimi i teoricientit, Ilyin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në fjalimin e ankesimit të rajoneve të Ukrainës

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka folur në sallën “Georgievsky” të Pallatit të Kremlinit, të premten në Moskë.

Në një fjalim zemërimi dhe konspirativ, në mesin e brohoritjeve, presidenti rus, Vladimir Putin, ofroi një justifikim të Kremlinit për aneksimin e katër territoreve ukrainase nga Rusia, duke paraqitur një botëkuptim antiperëndimor që akuzonte “anglo-saksonët” për neokolonializëm dhe sabotim.

Fjalimi prej gjysmë ore u mbajt në sallën e zbukuruar “Georgievsky” të Pallatit të Kremlinit të Madh, vendi ky ku Putin njoftoi se Rusia do të inkorporonte zyrtarisht rajonet si Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës, pas referendumeve të organizuara atje.

“Njerëzit kanë bërë zgjedhjen e tyre, një zgjedhje e paqartë”, deklaroi Putin.

Këto janë shtatë pikat kryesore dhe akuzat nga fjalimi, transmeton “The Washington Post“.

  1. Rusia nuk do të heqë kurrë dorë nga rajonet e aneksuara.

Putin u zotua të mirëpresë qytetarët e rajoneve të Ukrainës në Rusi, por sugjeroi që Moska kurrë nuk do të heqë dorë nga zonat e aneksuara.

“Dua që autoritetet e Kievit dhe drejtuesit e tyre të vërtetë në Perëndim të më dëgjojnë, në mënyrë që ta kujtojnë këtë. Njerëzit që jetojnë në Luhansk dhe Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia po bëhen qytetarët tanë. Përgjithmonë”, tha ai.

Gjithashtu, Putin tha se ai ishte i justifikuar për pranimin e territorit, pasi neni i parë i kartës themeluese të Kombeve të Bashkuara është ai i cili i lejon vetëvendosjen.

Në vitin 2014, Rusia  mori kontrollin e Krimesë pas një referendumi të ngjashëm të organizuar. Megjithatë, pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar ende e konsideron gadishullin pjesë të Ukrainës, dhe Kievi është zotuar të rimarrë kontrollin mbi të.

  1. Ukraina duhet të dorëzohet.

Putin kërkoi që autoritetet ukrainase të fillojnë bisedimet e paqes, duke i thënë “regjimit të Kievit që menjëherë t’i japë fund armiqësive, t’i japë fund luftës që ata filluan në vitin 2014 dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve. Ne jemi gati për këtë.”

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht që forcat ruse të heqin dorë nga çdo tokë e kapur pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, si dhe Krimesë, si kusht për bisedimet e paqes. Duke folur në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e shkuar, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se Rusia duhet të ndëshkohet për veprimet e saj.

“Është kryer një krim ndaj Ukrainës dhe ne kërkojmë dënim”, tha Zelensky, i cili u shfaq në tubimin më të lartë diplomatik përmes videolidhjeve.

  1. Perëndimi po përpiqet të shkatërrojë Rusinë.

Megjithëse aneksimi i shteteve ukrainase ishte subjekt i fjalimit, pjesa më e madhe e kohës së tij u përqendrua në sulmin ndaj Perëndimit, veçanërisht, në atë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Putin akuzoi Perëndimin për krijimin e një “sistemi neokolonial” që synonte në mënyrë specifike shkatërrimin e Rusisë, duke argumentuar më vonë se Perëndimi ishte “mbytur në një oqean falsifikimesh” dhe se udhëheqësit e tij gënjejnë si Joseph Goebbels, kryepropagandisti i Gjermanisë naziste.

“Ia vlen të kujtojmë Perëndimin se ai filloi politikën e tij koloniale që në mesjetë, dhe më pas pasoi tregtinë globale të skllevërve, gjenocidin e fiseve indiane në Amerikë, plaçkitjen e Indisë, Afrikës, luftërat e Anglisë dhe Francës kundrejt Kinës, si rezultat i së cilës u detyrua të hapte portet e saj për tregtinë e opiumit”, tha Putin.

“Theksoj se një nga arsyet e rusofobisë shekullore, keqdashjes së pambuluar të këtyre elitave perëndimore ndaj Rusisë, vjen pikërisht se ne nuk e lejuam veten të grabiteshim gjatë periudhës së pushtimeve koloniale. Ne i detyruam evropianët të tregtojnë për përfitim reciprok”, tha ai.

  1. Shtetet e Bashkuara, jo Rusia, përbëjnë një kërcënim bërthamor.

Zyrtarët rusë kanë bërë vazhdimisht referenca të fshehta për armët bërthamore, gjatë luftës në Ukrainë, me vetë Putinin që sugjeroi javën e kaluar se Kremlini do të “përdorte të gjitha mjetet në dispozicion “për të mbrojtur territorin rus i cili në sytë e Putinit, mund të përfshijë edhe rajonet e ankesuara të Ukrainës.

Por, të premten Putin tha se ishin Shtetet e Bashkuara që përbënin një kërcënim bërthamor për botën, duke iu referuar përdorimit të armëve bërthamore kundër qyteteve japoneze përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

“SHBA-të janë i vetmi vend në botë që ka përdorur ndonjëherë armë atomike. Ata shkatërruan qytetet e Hiroshima dhe Nagasaki. Gjë e cila krijoi një shembull”, tha Putin.

“Më lejoni t’ju kujtoj gjithashtu se Shtetet e Bashkuara, së bashku me britanikët, e kthyen Dresdenin, Hamburgun, Kolnin dhe shumë qytete të tjera gjermane në gërmadha pa asnjë nevojë ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe kjo u bë në mënyrë sfiduese, pa asnjë domosdoshmëri ushtarake. E përsëris, pa asnjë domosdoshmëri ushtarake. Aty kishte vetëm një qëllim, njësoj si në rastin e bombardimeve bërthamore në Japoni. Të frikësohej si vendi ynë, ashtu edhe mbarë bota”, tha ai.

  1. “Anglo-Saksonët” sabotuan tubacionet Nord Stream.

“Sanksionet nuk janë të mjaftueshme për anglo-saksonët, ato kanë kaluar në sabotim. Në fakt, ata kanë filluar të shkatërrojnë infrastrukturën panevropiane”, tha Putin, duke iu referuar dëmtimit të tubacioneve Nord Stream 1 dhe 2, tubacione këto të krijuara për ta transportuar gazin natyror rus në Evropë.

Këto tubacione u dëmtuan nga shpërthimet e dyfishta në brigjet e Danimarkës, të martën. Disa zyrtarë evropianë kanë fajësuar privatisht Kremlinin për shpërthimet, duke argumentuar se vetëm Rusia kishte një motiv të qartë për një sulm të tillë. Për këtë, qeveria ruse ka mohuar përgjegjësinë.

  1. Rusia nuk do t’i njohë kurrë të drejtat LGBT.

Në një tjetër devijim, Putin u shpreh kundër të drejtave të homoseksualëve në Perëndim dhe sugjeroi se Rusia nuk do të ndiqte kurrë të njëjtën rrugë.

“A duam që fëmijët nga shkolla fillore të imponohen me gjëra që çojnë në degradim dhe zhdukje? A duam që ata të mësohen se në vend të burrave dhe grave, gjoja ka disa gjini të tjera dhe t’u ofrohen operacione për ndryshimin e seksit? Kjo është e papranueshme për ne, ne kemi një të ardhme tjetër”, tha Putin.

Nën udhëheqjen e Putinit, Rusia ka miratuar disa ligje drejt komunitetit LGBT, duke përfshirë një ligj për “propagandën e homoseksualëve”, ligj ky që tërhoqi kritika të gjera ndërkombëtare.

  1. Sipas fjalëve të Ivan Ilyin, “fati i Rusisë është fati im”.

Në fund të fjalimit të tij, Putin citoi Ivan Ilyin, një teoricien antikomunist i cili u internua në Zvicër.

“Dhe nëse e konsideroj atdheun tim Rusinë, do të thotë se në mënyrën ruse e dua, e studioj dhe mendoj, në mënyrën ruse që këndoj dhe flas, se unë besoj në forcat shpirtërore të popullit rus dhe e pranoj fatin e tij historik me instinktin dhe vullnetin tim. Fryma e tij është fryma ime, fati i saj është fati im, vuajtja e saj është pikëllimi im, lulëzimi i tij është gëzimi im”, tha Putin në përfundim të fjalimit të tij.

Shpeshherë, historianët iu kanë refereruar Ilyin si një fashist. Ai është i njohur për një botëkuptim idiosinkratik që kombinonte pikëpamjet më tradicionale të krishtera dhe monarkiste me teoritë e konspiracionit dhe pikëpamjet kuazi-mistike të pushtetit të liderëve.

Teksa Putini përfundoi fjalimin e tij, ai nënshkroi “traktatet e anëtarësimit” për t’i zotëruar rajonet ukrainase të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, ashtu siç bënë udhëheqësit e Moskës për rajonet.

Për të brohoritur, udhëheqësit u mbajtën për dore dhe brohorisnin “Rusia! Rusia! Rusia!”

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika