Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar të martën dy operacione të ndara kundër krimit të organizuar, ku janë arrestuar gjithsej tetë persona të dyshuar për vepra të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë aksioneve të udhëhequra nga Prokuroria Speciale janë sekuestruar edhe prova relevante që do të përdoren në procedurat e mëtejme hetimore dhe gjyqësore.
Në rastin e koduar “White Star”, janë arrestuar pesë persona të dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe për përfshirje në veprimtari të paligjshme me narkotikë, përfshirë posedim, shpërndarje dhe shitje, si dhe për pastrim parash.
Ndërkohë, në rastin tjetër të koduar “Mega”, janë arrestuar tre persona të dyshuar për një gamë më të gjerë veprash penale, përfshirë pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, financim të terrorizmit, shpëlarje parash, mashtrim, detyrim, si dhe trafikim të armëve dhe materialeve plasëse. Po ashtu, ata dyshohen edhe për veprimtari të paligjshme me narkotikë dhe substanca psikotrope.
Autoritetet kanë bërë të ditur se të dy rastet janë mbështetur nga institucione ndërkombëtare të drejtësisë dhe sigurisë, përfshirë FBI-në, Europolin, si dhe autoritetet policore të Belgjikës, Francës, Holandës dhe Kanadasë (RCMP). Në mbështetje të hetimeve ka qenë edhe OPDAT nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
