8 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë se një aksidenti që përfshiu 14 automjete në autostradën “Ibrahim Rugova”, saktësisht në segmentin Mazgit – Bresje.

Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, i cili ka theksuar se të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

“8 te lënduar kanë kërkuar trajtim në QE, 7 janë lëshuar në shtëpi, 1 është ende duke i kryer disa ekzaminime te ne. Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Syla.

Në lidhje me këtë aksident, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në aksidentin në Fushë-Kosovë janë 14 automjete të përfshira Këtë e ka konfirmuar për Dukagjini, zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, i cili ka thënë se rruga ku ka ndodhur aksidenti (në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje) do të jetë e mbyllur përkohësisht.

“Rreth orës 06:50 në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, Mazgit-Bresje mbi urë te ETC-ja, sipas informatave fillestare, është shkaktuar një aksident trafiku zinxhiror, ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit raportohet edhe për persona të lënduar. Kjo rrugë është bllokuar përkohësisht, përderisa njësitet policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar ne vendin e ngjarjes për t’u marrë me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar. Lidhur me detaje tjera do të njoftoheni pas raportimeve që do të marrim nga ekipet ne teren. Apelojmë për kujdes gjatë vozitjes në këtë kohë me ngrica dhe mjegull, për t’i shmangur rastet e tilla”, ka thënë Hoxha.